Nga Albert Avduli
Beteja është për Kombin !
Lulzim Bashës i mbeti detyra historike, që betejën mos ta bëjë për partinë, për pushtetin, por për Kombin.
Jo kombin, por për Shqipërinë, mund t’më gjejë gabim dikush.
Një vënd mëmë i fortë, nënkupton çdo pjesë të atij kombi të ndihet mirë, pavarësisht ku ndodhet .
Nëse do luftonte vetëm për pushtet nuk do ta kishte vështirë.
Partia Demokratike është grupim idealesh. U krijua si e tillë, ka mbetur po ashtu. Ajo është forcë e madhe, e cila gjeneron ide, burime njerëzore, alternativa, besim e shpresë.
Si çdo organizëm, ka gushtin e saj, që e tkurr, por nuk e than.
Është forca politike e gjysmës së shqiptarëve si aderim, por shumicës së tyre si mundësi të prekura.
Ballafaqimi i radhës, duket se do shqelmoj shumë piketa politike, për hatër të shtyllave kombëtare.
Betejat e një kryetari partie, si rregull, janë luftë elektorale dhe alternativash për pushtet.
Një parti ikën nga qeverisja dhe tjetra vjen duke konkuruar idetë dhe platformat qeverisëse.
Gjetja më optimale në shoqëritë e lira dhe pluraliste.
Në Shqipëri, prej 7 vitesh, rrëmbimi i gjithë pushteteteve ka krijuar despotizëm. Kjo tepri pushteti, tashmë ka rënë si tuf leshi mbi syrin e despotit dhe ai ecën verbas në kaosin, që po duket në horizont. Të gjithë e shohin, vetëm syleshi jo.
Opozita si kundërpushtet, apo si digë, për të thyer këtë dallgë të zezë ngjarjesh, nuk u kuptua nga të gjithë.
Lulzim Basha ka denoncuar këtë rrezik në çdo forum, por plot aktor të tjerë politik, mediatik, akademikë nuk ju bashkangjitën. E kuptuan vonë, apo indiferenca e tyre buronte nga gurra të turbullta, kjo është tjetër temë.
Shumë prej tyre, tashmë i janë bashkëngjitur kauzës së opozitës dhe kanë lëshuar sinjalin SOS.
Vonë, por çdo moment vlen dhe duhet reaguar.
Kombet kanë momentet e tyre vezulluese, letargjike, kritike, por edhe ekzistenciale.
Historia njeh plot shëmbuj.
Rasti i Anglisë dhe Çurçillit gjatë luftës së dytë botërore, është ndoshta më i spikaturi. Madhëria e Saj e thirri Uinston Çurçill, në ditët më të vështira për Britaninë, Evropën dhe botën.
Kaq të lidhur janë emrat Angli dhe Çurçill, sa vijnë natyrshëm si një binom i pandashëm.
Po dal pak nga konteksti i së tërës sepse fjalia e mësipërme, ngacmon mëndjet e mykura komuniste. Atyre menjëherë ju kujtohet Majakovski me vargjet
Ne themi Lenini dhe nënkuptojmë partia dhe anasjelltas ( Mi govorim Lenin i padrazumivajem partja).
Ndryshimi midis dy të thënave ( Çurçill -Lenin) është thelbësor.
Kur Atdheu rrezikohet, ideologjitë nuk duhet të përbëjnë më barriera.
Basha, ka fatin e keq, që në luftën politike ka atë kamp, i cili publikisht ka deklaruar se :” Më shumë duam partinë se Shqipërinë”.
Nuk po shtoj asgjë në fjalinë e kufizuar me thonjëza. Nëse dikush dyshon në autencitetin e saj, mjafton vetëm të trokas në tastierë dhe bindet.
Janë pikërisht këta “rilindës”, autorët e kësaj gjëndjeje alarmante.
Varrmihësit e ngratë të qyteteve, mbartin mbi lëkurën e tyre profesionale, gjithëherët, paragjykim, pushtet dhe mister të çuditshëm.
Është parandjenja se nesër mund të jetë duke hapur gropën e secilit.
Varrmihësit e kombit të tyre, nuk mbartin asnjë mister. Thjesht kobëtar . . .
Janë qartësisht varrmihës të Atdheut. E kjo nuk është parandjenjë, por fakt sa Everesti.
Dy janë palët në këtë dyluftim, kombëtarët përballë kobëtarëve.
Faktet janë të renditura çdo ditë në raporte ndërkombëtare, media, në komunikimet e pareshtura të Lulzim Bashës.
Kur i flet Ai, një pjesë e vëshëshpuarve i quajnë shpifje.
Po citoj të tjera burime.
Ja disa :
Lutfi Dervishi gazetar ì TVSH-së
“Çdo 24 orë në Shqipëri, 90 bebe i presim në maternitete, 64 njerëz i përcjellim në varreza dhe 38 shqiptarë i përcjellim në kufi. Aritmetika nuk lë vend për debat. Çdo ditë janë 12 shqiptarë më pak… ”
Tjetër citim :
“Sipas të dhënave të Zyrës Europiane të Azilantëve (EASO), Shqipëria renditet e para për aplikime për azil në BE.
Me 59 aplikime për çdo 10 mijë banorë, vendi jonë lë pas me një diferencë të konsiderueshme Sirinë (39 aplikime), Afganistanin (17 aplikime), Irakun (9 aplikime) apo Nigerinë (1 aplikim)”.
Shifrat janë këto. Lexohen njëlloj si nga të djathtë e si nga të majtë.
Nuk kam çfarë të shtoj tjetër, por dhe një mijë gjëra duhet të shtoj.
Lulzim Basha, në këtë stinë nuk perceptohet më si Kryetar i PD- së, por si shpresë që atdheu duhet të jetoj.
Lajtmotivi kryesor po artikulohet qartazi , ” Mos ta shbëjmë Shqipërinë !”
Në diskursin e Tij, dallohet lehtësisht se po mbizotërojnë terma dhe ide, që mbartin rrezikun e asaj çfarë i kanoset vendit.
Ai po ju drejtohet gjithë shtresave shoqërore, çdo njeriu me arsye të shëndoshë dhe atdhedashuri.
Mesazhet ju drejtohen idealistëve, patriotëve, të zhgënjyerve, mosbesuesve, kritikëve, por edhe fraksioneve.
Ai po kapërcen barrierat ideologjike të kampeve politike.
Po ju drejtohet shqiptarëve, jo në retorikë shpirtërore, as patetike, por pragmatiste.
Ka një postulatë, që njerëzit, midis lirisë dhe bukës, zgjedhin bukën. Kjo gjëndje ka qenë deri sot këtu, por midis bukës dhe atdheut, mendoj se popujt përqafojnë atdheun. Se shpirti rëndon dhe thërret më shumë se stomaku.
Atdheu na përket të gjithëve.
Nuk mund ta lëmë djerr ose tokë për dyndje kolonësh aziatikë e arabikë.
Të gjithë së bashku mund ta shpëtojmë vëndin nga gropa e madhe që kemi te këmbët.
Ose takohemi, fitimtarë e të humbur, në fundin e saj.