Kreu i PD-së, Lulzim Basha i është përgjigjur sërish kryeministrit Rama, i cili tha se maskat e shpërndara për personelin mjekësorë, që opozita i denoncoi si të skaduara, janë të sigurta.
Me një shënim në Twitter, Basha thotë se maskat e skaduara nuk mund të jenë masë mbrojtëse për personelin mjekësor, ndërsa i bën thirrje Ramës që të sigurojë jetën e qytetarëve.
Kreu i opozitës thotë mes të tjerash se situata është emergjente dhe kërkon përgjegjshmëri, “jo shfaqje me maska të skaduara mbi fytyra të skaduara”.
“Më në fund e pranoi të vërtetën. Maskat janë të skaduara. Si të tilla ato nuk mund të jenë masë mbrojtëse për personelin mjekësor. Edi Rama mblidh mendjen dhe siguro jetën e qytetarëve! Lëri lojrat e fjalëve dhe fokusohu tek problemi kryesor që kanë sot shqiptarët. Nuk jemi në luftë, jemi në situatë emergjence që kërkon seriozitet dhe përgjegjshmëri. Dhe jo shfaqje me maska të skaduara mbi fytyra të skaduara”, shkruan Basha.