Shkon në 6 numri i të prekurve me koronavirus në Shqipëri. Pas dy rasteve të para, babë e bir të konfirmuar në orët e para të mëngjesit të së hënës janë shtuar edhe 6 raste të reja në mbrëmje. Ministria e Shëndetësisë konfirmoi se gjatë së hënës janë testuar gjithsej 14 raste të dyshuara për COVID-19. Nga këta 8 persona kanë pasur kontakte të ngushtë me 2 rastet e para të konfirmuara me koronavirusin në vendin tonë.
Nga rezultatet e 14 testimeve të kryera në laboratorin e virologjisë në Institutin e Shëndetit Publik, rezulton se 4 persona kanë rezultuar pozitiv për koronavirus. 3 prej këtyre personave janë familjarë me 2 rastet e para që u konfirmuan në fillim. Aktualisht të gjithë personat e tyre të kontaktit po mbahen në vetëkarantinim të detyruar dhe po ndiqen nga ekipet e epidemiologëve për gjendjen e tyre shëndetësore. Gjendja e tyre rezulton pa probleme të veçanta.
Rasti tjetër i konfirmuar është një 31-vjeçar me banim në Tiranë, që ka pasur histori udhëtimi me Milanon 6 ditë më parë dhe është kthyer pas një qëndrimi të shkurtër 1-ditor në vendin fqinj. Ai po trajtohet bashkë me 2 rastet e para në spitalin infektiv dhe gjendja e tij paraqitet pa probleme të veçanta. Ministria e Shëndetësisë thotë se deri tani janë testuar 77 raste nga të cilat kanë rezultuar pozitive 6 prej tyre.