Kryeministri Edi Rama paralajmëroi se nga dita e nesërme do të vendosen postblloqe të Policisë së Shtetit dhe Ushtrisë në të gjitha rrugët e Tiranës, për të kontrolluar të gjitha makinat, nëse ka persona të ardhur 14 ditët e fundit nga Italia ose Greqia dhe që nuk qëndrojnë të karantinuar nga frika e koronavirusit.
Kreu i qeverisë paralajmëroi se nëse do të kapet ndonjë person i kthyer, që lëviz i lirë nëpër Tiranë, do të gjobitet me 5 mijë euro dhe nuk do të lejohet të dalë më jashtë vendit pa paguar këtë gjobë.
“Sot do të dalë në rrugë një formacion i përbashkët i policisë së shtetit dhe asaj ushtarake, që do vendosin postblloqe dhe do ndalojnë e verifikojnë nëse ka të ardhur nga Italia e Greqia në 14 ditët e fundit, që ndalohet të dalin nga shtëpia. Nga nesër kush prej tyre do të kapet në rrugë do të dënohet me 5 mijë euro gjobë dhe do ndalohet të rikthehet në Itali, nëse nuk do të ketë ndaluar gjobën. Futeni mirë në kokë, kjo është një kohë lufte me një armik që nuk duket, por që është rreth gjithsecilit prej nesh.
E di që kush lëviz me makinë do bezdiset dhe nervozohet me postblloqet, por nuk kemi asnjë rrugë tjetër, përveçse të kufizojmë lëvizjet dhe ta pranojmë së bashku këtë shtrëngim. Do ta kalojmë edhe këtë, siç kaluam tragjedinë e 26 nëntorit, prej ku dolëm më të fortë. Nëse tërmeti na mori 51 jetë, pa na lënë kohë, korona na paralajmëron çdo ditë dhe kemi gjithë kohën e nevojshme për të kursyer jetë, dhimbje. Asnjë frikë, por kujdes, kujdes, kujdes.
Jemi përgatitur për këtë moment, lëre çfarë thonë ‘maskat e skaduara’. Kurajo miq, kujdesuni për fëmijët, të moshuarit, qëndroni në distancë dhe merreni me pozitivitet këtë ushtrim të çuditshëm të kufizimit të lirisë”, tha Rama.