Ditën e djeshme presidenti Meta dekretoi emërimin në Gjykatën e Lartë të tre anëtarëve të rinj të saj ndërsa sot ai i thirri ata për të kryer ceremoninë e betimit ku morën edhe mandatin për detyrën e re
Ceremonia solemne e betimit eshte zhvilluar sot në Institucionin e Kryetarit të Shtetit. Para Presidentit të Republikës u betuan tre anëtarët e rinj të Gjykatës së Lartë, z.Sokol Sadushaj, z.Ervin Pupe dhe z.Ilir Panda.
Pas ekzekutimit të himnit kombëtar dhe leximit të dekreteve të Presidentit Meta, gjyqtarët e lartë, dduke vendosur dorën mbi Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë u betuan para Kreut të Shtetit se:
“Betohem solemnisht se gjatë kryerjes së detyrës do t’i qëndroj kurdoherë besnik Kushtetutës së Republikës të Shqipërisë, ligjeve në fuqi dhe do të respektoj rregullat e etikës profesionale!”
Presidenti Meta u uroi suksese dhe punë të mbarë anëtarëve të rinj të Gjykatës së Lartë.
Në ceremoni e betimit ishin të pranishëm edhe Avokati i Popullit znj.Erinda Ballanca, Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor znj.Naureda Llagami, Zv/Kryetari i Këshillit të Lartë Gjyqësor, z.Maks Qoku si dhe Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, z.Gent Ibrahimi.