Mjeku infeksionist, Pëllumb Pipero e quan “serioze” situatën nga koronavirusi në Shqipëri.
Pipero tha në një intervistë për “News24” se situata është serioze si në aspektin e numrave por edhe në aspektin e përjetimit të qytetarëve, sa i përket shkeljes së urdhrave të autoriteteve.
Lidhur me medikamentet që përdoren në botë për të trajtuar simptomat e pacientëve të infektuar me COVID-19, Pipero tha se ato po përshtaten edhe për Shqipërinë, por këshilloi qytetarët të mos përdorin medikamente pa lejen e mjekut specialist.
Pjesë nga deklarata e Pipero për News24
Situata është serioze si në aspektin e numrave, rasteve të shtuara por edhe në aspektin e përjetimit të qytetarëve që veprojnë jo në përputhje me udhëzimet dhe rregullat e vendosura nga autoritetet.
Kolegët tanë kanë përdorur medikamente të ndryshme, qoftë edhe anti virale. Por nuk do ta quaja eksperimentale se është fjalë e rëndë. Të gjitha medikamentet që janë përdoruru janë bazuar në veprimin e tyre aktiv. Por deri tani ne nuk kemi një medikament të certifikuar nga organizmat botërore. Trajtimi i këtij virusi është simptomativ. Janë disa medikamente që përdoren nga kolegët tanë dhe rezultatet kanë qenë mjaft optimiste. Edhe ne po përshtasim të tilla mjekime.
Këto medikamente nuk mund të përdoren në çdo person. Ka terma të rëndësishme të cilat i vlerëson mjeku në bashkëpunim me ekipin. Jo në çdo moment mund të ndërhyhet. I këshilloj të gjithë shqiptarët në asnjë mënyrë të mos përdorin medikamente pa lejen e mjekut të familjes, apo në rastin konkret pa lejen e mjekut specialist.