Në një lidhje me Skype në “Tempora” nga Sonila Meço në TV Ora, mjeku Pëllumb Pipero tha se te Infektivi janë 8-9 persona në gjendje kritike.
Ai shtoi se i gjithë kati i dytë te Infektivi është një kat i terapisë intensive tashmë, i pajisur me respiratorë.
Sonila Meço: Sa pacientë janë në gjendje kritike?
Pipero: Në dijeninë time duhet të jenë më shumë se sa 8-9 pacientë nga të cilët 4 janë në terapi intensive, dhe 4 të tjerë gjithashtu në terapi intensive, por në katin e dytë, sepse tashmë, e dini që i gjithë kati i dytë me 35-40 shtretër është një kat i terapisë intensive, pasi të gjitha dhomat janë pajisur me respiratorë. Pra, ju duhet të na kuptoni se te Infektivi, punojmë çdo minutë për të rritur kapacitetet jo vetëm me numra, por edhe me trajnim e kualifikim. Të gjithë së bashku duhet tu shërbejmë më mirë pacientëve.