BallinaIntervistaGenc Pollo për Deutsche Welle: Negociatat me Shqipërinë, pas plotësimit të kushteve

Genc Pollo për Deutsche Welle: Negociatat me Shqipërinë, pas plotësimit të kushteve

spot_img
spot_img

Politikani opozitar, Genc Pollo (PD) në intervistë për DW flet për plotësimin e parakushteve që liderët e BE i vendosën Shqipërisë dhe thekson dobinë që sjell monitorimi rigoroz nga KE i plotësimit real të parakushteve.

Deutsche WelleZ. Pollo, sot (26 mars 2020) pritet që liderët e Bashkimit Europina, (BE) të vulosin vendimin për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Si e vlerësoni ju këtë zhvillim, që mendoj, se në pamje të parë, u jep fund frenimeve dhe zhgënjimeve të deritanishme të dy vendeve nga premtimet e BE?

Genc Pollo: Në pamje të parë, siç thoni edhe ju, duket se u çelën negociatat! Dhe ky vendim politik në parim është i gëzueshëm për të tërë ata që dëshirojnë një Shqipëri europiane në BE. Shqiptarët duhet të jenë falënderues. Por ata duhet të dinë se negociatat faktike do të fillojnë vetëm kur Shqipëria e në radhë të parë qeveria e saj, të ketë plotësuar bindshëm jo më vetëm 5 kushtet e Komisionit Europian, jo më vetëm 9 kushtet e Bundestagut por plot 15 kushtet e Këshillit Europian. Kjo është e vërteta e madhe e vendimit të ministrave të BE. Kush e dëften këtë, përtej politikës partiake, mendoj se i shërben Shqipërisë europiane; kush hesht për këtë, përtej politikës partiake, mendoj se nuk e ndihmon Shqipërinë europiane. Kush do të vazhdojë të heshtë, do të vazhdojë  të lyejë ”fasadat e Potjemkinit”.

Unë këmbëngul pasi jam i bindur që tematizimi publik i kushteve europiane krijon ndërgjegjësimin shoqëror e kontribuon në formimin e vullnetit politik; ky i fundit është i domosdoshëm për përmbushjen e kushteve. Siç e thanë edhe ministrat europianë pas mbledhjes pardje, të martën, (24.03.2020) ata janë të interesuar për zbatim gjenuin, të vërtetë të ligjeve dhe jo për ligje në letër.

Deutsche Welle: Çfarë përkimi kohor arritjesh, zhvillimesh në Shqipëri, BE dhe rajon mund të kenë luajtur rolin e tyre në marrjen e vendimit për hapjen e negociatave, që pritet të vuloset sot?

Genc Pollo: Argumentimi i disave në BE lidhet me avancimin e fuqive joeuropiane e jo miqësore në Ballkan. Por  kjo nuk qëndron aspak në rastin e Shqipërisë. Të tjerë argumentojnë me zhvillimin e reformave. Por gjithnjë e më shumë janë ata në Europë që po e shohin mbretin lakuriq dhe po kritikojnë aspekte themelore të “reformave” përfshirë edhe të tilla që janë trajtuar si tabu. Gjithsesi vendimi mbetet i paplotë pasi, ndryshe nga praktika konvencionale, nuk përmban datën e fillimit të negociatave, dmth. atë  të dy konferencave ndërqeveritare që u paraprijnë fillimit të tyre. Vërej se për Maqedoninë e Veriut nuk pati asnjë kusht. Nëse dy vendet tona do të ishin trajtuar veçmas atëhere Shkupi me siguri do e kishte marrë datën e negociatave.

Deutsche Welle: Atëhere si e shpjegoni ju votën pro për Shqipërinë të vendeve skeptike me në krye Francën? 

Genc Pollo: Këto shtete i përcaktuan në vendim kushtet e tyre; ashtu siç bënë në 2019 dhe 2018. Pra, në thelbin faktik, integrimi i Shqipërisë është në vendnumëro. Po të lemë mënjanë fanfarën e vendimit në parim. Dhe e them sërish pa përmbushjen e 15 kushteve nuk ka negociata. Gjithashtu, theksi është tek monitorimi rigoroz e jo shkel e shko siç aludohet për të shkuarën.

Deutsche Welle: Komisioni Europian, i drejtuar tanimë nga politikanja gjermane, Ursula von der Layen rekomandoi përsëri, në fillim të këtij muaji, hapjen e pakushtëzuar të negociatave me Shqipërinë, mbështetur besoj në arritjet e saj. Si e shpjegoni ju kontradiktën mes rekomandimit të Komisionit me vendimin e Këshillit Europian, për hapjen e tyre pas plotësimit të plotë të një varg parakushtesh, dhe gjithashtu monitorimit “të paepur” të plotësimit të tyre, siҫ është shprehur deputeti gjerman Wadehphul ?

Genc Pollo: Këshillë e mirë për një politikan pro europian në Shqipëri dhe në Ballkanin Perëndimor është që të mos e teprojë me komente publike mbi kontradiktat brenda BE. Por tashmë dihet se ka patur një debat jo të kadifenjtë mes shteteve anëtare dhe Komisionit Europian për cilësinë e progres-raporteve. Komisioneri për Zgjerimin, Olivér Várhelyi, foli të marten, (24.03) për “restaurimin e kredibilitetit” të proçesit. Kjo është shumë pozitive për ne; dmth për Shqipërinë e Ballkanin por edhe për BE-në. Ndërkohë që deklarata kritike e zotit Wadephul për disa qëndrime të ish-zyrtarëve të Brukselit flet vetë.

Deutsche Welle: A jeni optimist  Z. Pollo se Shqipëria do t’i plotësojë në kohë parakushtet kryesore?  

Genc Pollo:  Po më kujtoni anekdotën antike të udhëtarit që pyet bariun sa larg është polisi dhe ky i fundit që ja kthen “ec!” (që të shoh sa shpejt ecën). Ne si opozitë kemi rol në ndërgjegjësimin e publikut për kushtet; intervista juaj si edhe raportimi korrekt i mediave ndihmon. Roli specifik i opozitës është gjithashtu i rëndësishëm për reformën zgjedhore: një kusht madhor për hapjen e negociatave. Më tej opozita nuk ka rol specifik dhe gjithçka tjetër është përgjegjësi direkte e qeverisë e mazhorancës. Edhe zyrtarët e Komisionit Europian, të martën, (24.03) i kërkuan qeverisë të dalë me plan të qartë për plotësimin e kushteve.

Deutsche Welle: Cili është roli i konferencës së par ndërqeveritare në hapjen e negociatave? Çfarë rëndësie ka ajo?

Genc Pollo: Pa u mbajtur konferenca ndërqeveritare nuk nisin negociatat e pranimit; por pa përmbushje kushtesh nuk ka konferenca ndërqeveritare.

DW: Opozita, ku ju bëni pjesë ju si politikan, deklaroi se do të punojë që ta bëjë realitet hapjen e negociatave ose përndryshe do të bashkëpunojë me qeverinë për të përmbushur parakushtet, që ju përmendët. A do të ktheheni në Kuvend për të dhënë kontributin tuaj si opozitë brenda institucioneve?

Genc Pollo: Patjetër do të shkojmë në Kuvend! Përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme. Dhe meqë ra fjala në vendimin e Këshillit Europian për hapjen e negociatave me Shqipërinë, jo vetëm miratimi por edhe zbatimi i reformës zgjedhore, kusht që i paraprin konferencës së dytë ndërqeveritare, e cila çel negociatat faktike. Pra, e thënë më qartë, qeveria e dalë nga zgjedhjet parlamentare do të jetë ajo që do të ulet në tryezën e negociatave. Intervistoi: Ani Ruci

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular