Ka ardhur me ambulancë nga Lezhë në gjendje të rënduar dhe dyshohej për hemorragji cerebrale. Por përveç problemeve shëndetësore, koronavirusit nëpër këmbë, një tjetër hall, si të kthehet në shtëpi.
Me kateter për urinën dhe një qese, një pamje gati e pabesueshme ta shohësh në rrugë. Ëngjëll Ndrek Ndreu është ulur në një bordurë pranë QSUT-së dhe pret por se çfarë as vetë nuk e di, sepse deri tani askush nuk i është përgjigjur. Ai tregon për gazetarin Erjon Skëndaj se çfarë i ka ndodhur dhe ka një apel për ministren e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu dhe kryeministrin Edi Rama.
“Kam ardhur dje në spital për problemin e urinës. Jam nga Balldreni. Më solli spitali i Lezhës, më bëri zhbllokimin e urinës dhe më nisi në Tiranë për stabilizim. Mbrëmë në Tiranë kam bërë gjithë analizat dhe më kanë dalë mirë. Mbrëmë kam fjetur me gruan e djalin në urgjencë e sot më bënë daljen se je mirë. Tani kam ngelur këtu, drejtori më tha nuk kam mundësi të sjell urgjencë. Unë nuk jam i zoti të eci. Jam me katetër.
I bëj thirrje ministres të lutem më ço në Lezhë. Mund të më plasë hemorragjia cerebrale. Kam një ekonomi të mbaruar, pa punë djali, vetë e gruaja. Se çfarë do të hamë. Kryeministrit i kërkoj të vërë dorën në zemër”, tha qytetari nga Lezha.
Gazetari Erjon Skëndaj raportoi për “BalkanWeb” se si ky qytetar ka edhe shumë të tjerë që vijnë në spital me ambulanca dhe më pas nuk kanë me çfarë të kthehen.