Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka informuar në lidhje me kriteret dhe mënyrën e aplikimit për përfitimin e ndihmës financiare, të barabartë me pagën minimale në fuqi, në zbatim të VKM nr.254 datë 27.03.2020 “Për përcaktimin e procedurave, të dokumentacionit dhe të masës së përfitimit të ndihmës financiare për të punësuarit në subjektet e biznesit me të ardhura vjetore deri 14 milionë lekë, ndihmës ekonomike e të pagesës të së ardhurës nga papunësia gjatë periudhës së fatkeqësisë natyrore të shpallur si pasojë e COVID-19”, i publikuar në Fletoren Zyrtare nr. 53 datë 28.03.2020.
Në bazë të VKM nr.254 datë 27.03.2020 “Për përcaktimin e procedurave, të dokumentacionit dhe të masës së përfitimit të ndihmës financiare për të punësuarit në subjektet e biznesit me të ardhura vjetore deri 14 milionë lekë, ndihmës ekonomike e të pagesës të së ardhurës nga papunësia gjatë periudhës së fatkeqësisë natyrore të shpallur si pasojë e COVID-19”, i cili hyn në fuqi prej datës 1 Prill 2020, ju informojmë për kriteret dhe mënyrën e aplikimit që duhet të kryejnë subjektet përfitues, të cilët:
për vitin 2019 kanë realizuar të ardhura deri në 14 milionë lekë,
duhet të kenë ndërprerë aktivitetin në zbatim të Urdhrave të Ministrit së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale (MSHMS), të dala për këtë qëllim, si dhe
duhet të kenë përgjegjësi tatimore për tatimin e thjeshtuar mbi fitimin dhe tatimin mbi fitimin
Përfitues të ndihmës financiare të barabartë me pagën minimale në rang vendi, në fuqi, prej 26.000 lekë në muaj, janë:
personat fizikë të vetëpunësuar;
punonjësit e papaguar të familjes të personit fizik tregtar;
të punësuarit në personat fizikë tregtarë.
të punësuarit në personat juridikë,
me të ardhura vjetore deri në 14 milionë lekë, sipas listëpagesave të deklaruara nga subjektet tatimpagues, të cilët duhet të kryejnë edhe aplikimin për të përfituar ndihmë financiare, sipas Formularit bashkengjitur këtij njoftimi.
Individët e punësuar, që rezultojnë në më shumë se një listëpagesë, përfitojnë si ndihmë financiare vetëm një pagë minimale.
Subjektet që plotësojnë kushtet e mësipërme, duhet të paraqesin pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, nëpërmjet llogarisë së tyre të deklarimit elektronik në e-filing, kërkesën me të dhënat e përfituesve, sipas modelit bashkengjitur, ku përfshihen:
Të dhënat identifikuese të subjektit tatimpagues të pajisur me NUIS
Të dhënat identifikuese të përfituesve, përfshirë të vetpunësuarit, punonjësit e papaguar të familjes dhe të punësuarit:
emrin, atësinë, mbiemrin
numrin personal të identifikimit të përfituesit
bankën ku përfituesi ka llogarinë rrjedhëse bankare
IBAN të llogarisë bankare të individit përfitues
Subjektet që do të plotësojnë kërkesën sipas Formularit të miratuar, bashkëngjitur, duhet të sigurohen që të plotësojnë të dhënat e sakta të individëve pëfitues, ku numri personal i identifikimit ID dhe IBAN i llogarisë bankare janë të dhëna shumë e rëndësishme.
Pas verifikimit brenda 10 ditëve të muajit pasardhës, të të dhënave të derguara nga aplikuesit, nga Drejtoritë Rajonale Tatimore ku subjektet janë të regjistruar, lista përmbledhëse me të dhënat e individëve përfitues të ndihmës financiare, paraqitet nga DPT, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Thesarit, e cila, sipas VKM nr.254, satë 27.03.2020, kryen pagesat për individët përfitues. Bashkëngjitur do të gjeni Listën e aktiviteteve të mbyllura sipas Urdhrave nr.156 datë 10.03.2020 dhe Nr.193 datë 20.03.2020./Monitor