Dy banesa u shkrumbuan nga zjarri në Berat në lagjen “Jani Vruho”, duke lënë familjet në qiell të hapur. Me banesat ku në këmbë i kanë mbetur vetëm muret, familjarët apelojnë për ndihmë.
Flakët e zjarrit janë konstatuar nga patrrullat e policisë në rrugë dhe menjëherë është njoftuar zjarrëfiksja.
Pas mbërritjes në banesë zjarrëfikësit mundën të lokalizonin flakët e zjarrit dhe ti shuanin ato gjysëm ore më vonë, por përhapja e flakëve ka qenë e shpejtë dhe ka shkrumbuar gjithçka në të dyja banesat, përfshi edhe tavanët.
Frika nga përhapja e coronavirusit dhe karantinimi dy ditor ka bërë që nëntë anëtarët e dy familjeve Eskiu, të largoheshin nga banesa dhe jetonin së bashku në një tjetër banesë. Kjo ka bërë që zjarri të mos shkaktojë dëme në njerez por vetën dëme materiale.
Zjarri ka shkrumbuar gjithçka, që nga orenditë shtëpiake, rrobat, dritaret, mobiljet e deri tek tavanet prej trarësh e tjegullash, duke i lënë tashmë dy familjet në qiell të hapur.
Kryefamiljari Besnik Eskiu shprehet se, ishin me fat që ishin larguar prej disa javësh nga banesa sepse do ishin djegur të gjithë në gjumë.
Ai i bën apel shteti për ndihmë,pasi tashmë kanë ngelur në qiell të hapur.
“I drejtohem bashkisë dhe instancave më të larta shtetërore që të më ndihmojnë pas kësaj fatkeqësi që na la në qiell të hapur. Tashmë nuk na ka ngelur më asgjë nga shtëpitë. Kur erdhëm në banesë pas njoftimit të policisë,flakët nuk mbaronin dhe përpinë gjithçka kishin ndërtuar me punë e sakrifica”, shprehet Besnik Eskiu.
Pas shuarjes së flakëve, po kryet edhe ekspertimi i vendngjarjes për të mësuar edhe shkaqet e zjarrit,që paraprakisht mendohet se është shkaktuar nga një shkëndijë elektrike.