Përmes një akti normativ Ministria e Drejtësisë liroi për 3 muaj karantinë 570 të burgosur. Njëri prej tyre, që kishte emrin i 155-ti në listë, ishte dhe Marjoldo Dali Nela, i cili duhet të ishte përfitues, por nuk lejohet nga shefi i stacionit të policisë Memaliaj, Eduard Dumi.
Ishte kjo çështja që u trajtua këtë të martë në emisionin investigativ “Stop”. Nëna e Marjoldos, Tefta Nela, thotë se shefi Eduard Dumi bëri raport negativ që t’i mohojë të birit daljen nga qelia.
“Quhem Tefta Nela. Kam një djalë në burgun e Fierit. Është futur për lëndë narkotike. Është dënuar 8 vjet dhe ka bërë 5. Ka përfituar lejen siç kanë përfituar një pjesë e mirë e të dënuarve. Në listë është i 155. Më kërkon dokumente burgu i fierit, kam firmosur. Lista ku ishte dhe djali im ka dalë në datën 26. Djalin e prisja në datën 1 në shtëpi. Nga burgu i Fierit djali është pozitiv. Në Memaliaj nuk ka asnjë dosje. Shefi nuk e njeh djalin fare. Komisariati mua po më persekuton si familje”, tha ajo.
I burgosuri Marjoldo Nela: Përshëndetje Odeta! Jam Marjoldo Nela nga qyteti i Memaliajt. Jam në burgun e Fierit, jam dënuar për “Kultivim, Prodhim, Mbajtje, Shitje të Lëndëve narkotike. Jam dënuar 8 vjet, e më ka ngel 2 vite e 5 muaj dënim. Dhe i kam plotësuar të tëra kriteret për lejen 3-mujorshe, që më ka nxjerrë shefi tani. Jam i 155-i me emër. Po kam një problem me Shefin e Komisariatit. Ma ka dërguar negative, nuk ka asnjë arsye Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, që nuk mban garanci për daljen time, të vete të karantinohem në shtëpi.
Gazetarja: Marjol a më the që je i 155 i renditur?
I burgosuri Marjoldo Nela: Po, jam.
Gazetarja: Atëherë ç’punë ka shefi? Ty të ka dënuar qeveria
I burgosuri Marjoldo Nela: Jo, po duhet Shefi i Komisariatit, i dërgon një OK Drejtorisë së Përgjithshme, që për këtë person mbajmë përgjegjësinë neve, në qoftë se e lironi për 3 muaj. Nuk jep garanci.
I burgosuri Marjoldo Nela: Odeta unë jam në listë, i ka bërë gati qeveria të tëra, por nuk do shefi të vete në shtëpi. Unë kërkoj, që me ndihmën tuaj të vete 3 muaj në shtëpi, siç venë të gjithë të tjerët. Nuk kam asnjë lloj problemi në Memaliaj me asnjë njeri. Ta verifikojë jo shefi, por kush të dojë.
“Dua drejtësinë e djalit tim. Jam një nënë me pesë jetimë dhe kërkoj drejtësinë e djalit tim. I bëj thirrje Edi Ramës, ku je o Edi Rama, ça po bëhet në Memaliaj. Ke një komisariat të degjeneruar në Memaliaj, ke polica pijanecë. Kjo është Memaliaj. Edi Rama vër dorë në Memaliaj”, thotë e ëma.
Vetë Dumi mjaftohet të thotë se përgjigja është zyrtare dhe nuk jep asnjë shpjegim më shumë. Gjithashtu ai ishte larguar nga Memaliaj për në Tiranë.
Shefi Eduard Dumi: Përshëndetje!
Gazetarja: Zoti Eduard si jeni?
Shefi Eduard Dumi: Mirë, si ia kaloni?
Gazetarja: Unë jam një gazetare nga emisioni “Stop”.
Shefi Eduard Dumi: Po!
Gazetarja: Ndodhem tek stacioni i Memaliajt, por ju nuk jeni këtu. Interesohem për një qytetar, Marjoldo Nela, i burgosur në burgun e Fierit, i cili ka përfituar lejen e karantinës për 3 muaj. Çfarë bëhet me këtë rast?
Shefi Eduard Dumi: Kemi kthyer përgjigje zyrtare, ia kemi dërguar edhe IEVP-së.
Gazetarja: Kush është arsyeja, e liron akti normativ
Shefi Eduard Dumi: Është e sqaruar në përgjigje arsyeja. Mirupafshim, mirupafshim!
Përgjigje nuk jep asnjë punonjës në komisariatin e Memaliajt.
Gazetarja: Pse nuk del Nela?
Specialisti i Rendit: Ai është i arrestuar për një vepër penale.
Gazetarja: Po te numri 155 këtu
Specialisti i Rendit: Po me e di…
Gazetarja: Pse nuk del pra
Specialisti i Rendit: E moj, e di. Nuk jam unë personi kompetent, që të të kthej përgjigje zyrtare, është specialisti i hetimit, shefi i stacionit. Është shefi autoriteti, që e ka bërë atë punë, s’jam unë!
Inspektori i zonës, Zenel Kalemi tregon se është në dijeni të rastit dhe ai vetë ka hartuar një raport pozitiv për Marjoldon, por shefi Dumi e refuzoi këtë raport, duke kërkuar një tjetër negativ. Në këtë moment, Zeneli thotë që u distancua nga kjo histori.
“Mua si Inspektor më është kërkuar nga eprori im Eduard Dumi për bërjen e një raporti shërbimi për këtë person. Menjëherë kam deklaruar me përgjegjësinë time që ky person nuk ka asnjë problem në qytetin e Memaliaj. Ky më ka thënë që ka probleme. Unë nuk e di që ka probleme. Më kërkoi raport shërbimi për herë të dytë. E bëra. Pse e ke bërë kështu më tha mua. Pse e ke nxjerrë kaq bukur. Unë këtë punë kam bërë, kam bërë detyrën time si punonjës policie. Përderisa Kryeministri apo Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve kanë dhënë lejen për nxjerrjen e tyre unë për veten time nuk kam pasur problem. Unë s’mund të mashtroj njeri, ai po të ketë informacion le t’i nxjerrë”, tha Zeneli./tvklan.al