BallinaIntervistaMark Gjonaj flet për krizën e koronavirusit në Nju Jork: Komuniteti ynë...

Mark Gjonaj flet për krizën e koronavirusit në Nju Jork: Komuniteti ynë i prekur, ka pasur dhe të vdekur. Si është vepruar për biznesin

spot_img
spot_img

Zëri i Amerikës: Shteti i Nju Jorkut dhe sidomos qyteti i Nju Jorkut ku ju jeni anëtar i Këshillit Bashkiak po kalon një kohë të vështirë. Është folur se ka patur mjaft njerëz të prekur në komunitetin shqiptar në distriktin 13 të Bronksit që ju përfaqësoni. Madje ka patur edhe viktima nga koronavirusi. A është e vërtetë?

Mark Gjonaj: Më lejoni të filloj duke u shprehur ngushëllimet më të sinqerta atyre që kanë humbur njerëzit e tyre gjatë kësaj epidemie. Lutem gjithashtu për të gjithë ata që janë duke u ndeshur me këtë virus dhe po luftojnë për jetën. Po, është e vërtetë. Ky virus ka krijuar një krizë, një pandemi në komunitetin tonë si dhe kudo tjetër. Komuniteti shqiptaro-amerikan është prekur gjithashtu. Dimë disa raste kur ka patur humbje jete. Dimë se ka shumë të tjerë që po luftojnë për jetën si dhe njerëz që po përballen me vështirësi për shkak të virusit.

Zëri i Amerikës: Zoti Gjonaj, ju jeni Kryetar i komitetit për bizneset e vogla në Këshillin e Bashkisë së Nju Jorkut dhe shqiptarët kanë kryesisht biznese të vogla në Nju Jork. Mendoni se do të kenë shumë pasoja këto biznese?

Mark Gjonaj: Qyteti i Nju Jorkut, përmes shërbimeve pët biznset e vogla, ka hapur një grant dhe një kredi me interes 0,5 për qind. Qeveria federale ka ofruar një sërë grantesh dhe kredish. Unë e inkurajoj komunitetin shqiptaro-amerikan dhe pronarët e bizneseve të vogla të marrin pjesë dhe të kërkojnë kredi të tilla. Kjo bëhet përmes bankave lokale, por meqenëse nevojat do të jenë shumë më të mëdha, pres që ky të mos jetë fundi i paketës stimuluese. Ne do të shohim ndoshta një paketë të dytë, të tretë dhe të katërt stimulimi që do t’u shkojë jo vetëm individëve, por edhe bizneseve të vogla, sepse janë ato që në fakt po paguajnë çmimin më të lartë sot për sot.

Zëri i Amerikës: Njerëzit e duan ndihmën tani. A po vjen kjo ndihmë tani?

Mark Gjonaj: Nuk po vjen aq shpejt sa duhet. Nevojat janë urgjente dhe ne nuk po tregohemi të shpejtë që kjo ndihmë kaq e nevojshme të shkojë në duart e banorëve të Nju Jorkut dhe të bizneseve të vogla. Duhet të bëjmë një punë më të mirë. Ne e dimë se qeveria ecën ngadalë, kurse ndihmat janë të ngutshme. Prandaj, unë i inkurajoj të gjithë për të parë se çfarë shërbimesh po ofrohen. Ne kemi dërgim ushqimesh nëpër shtëpi, kemi stacione të quajtura “Grab and Go” në 235 pika të ndryshme të Nju Jorkut. Edhe pse zyra ime është e mbyllur, telefonat e mi punojnë. Ne u përgjigjemi pyetjeve dhe kërkesave nga i gjithë komuniteti, duke përfshirë edhe komunitetin shqiptaro-amerikan.

Zëri i Amerikës: Ju keni kërkuar që disa shërbime që janë mjaft të ekspozuara ndaj virusit të pajisen urgjentisht me maska dhe mjete mbrojtëse. Këtu hyjnë personeli i transportit me trena dhe autobusë, shitësit e dyqaneve të ushqimeve, shtëpitë e të moshuarve e të tjera. A është kjo e mundur, kur edhe spitalet nuk kanë furnizim të mjaftueshëm me maska?

Mark Gjonaj: Sfida është e vështirë. Caktimi i përparësive se kush duhet të ketë maskë dhe kush jo, kjo nuk është përgjegjësia ime. Unë jam për atë që secili duhet të ketë mjetet e duhura mbrojtëse për të mbrojtur veten e tyre dhe për të penguar përhapjen e mëtejshme të virusit. Kjo do të thotë se të gjithë punonjësit e domosdoshëm, të gjithë punonjësit shëndetësorë dhe ata të linjës së parë, duhet patjetër të pajisen me mjete të tilla që shpëtojnë jetën, si maska, mburoja fytyre, doreza dhe kostume antiseptike.

Zëri i Amerikës: A keni menduar se si do t’ia bëjnë gjithë ata shqiptarë të rinj të ardhur rishtazi në Nju Jork, si do t’ia bëjnë për punë, për të paguar qeratë dhe për të mbajtur familjet? Jam i sigurt që keni menduar, por dua të them a ka zgjidhje për ta?

Mark Gjonaj: Tre javë më parë, ne jetonim në një botë tjetër. Këto tre javët e fundit, i gjithë ai mekanizëm mbrojtës dhe rrjet i sigurisë ekonomike nuk është më. Ky virus, ky kaos dhe krizë e kanë kthyer përmbys botën tonë. Por ne po bëjmë çfarë është e mundur që njerëzit tanë më të ekspozuar dhe më në nevojë të marrin shërbimet bazë, nga strehimi tek ushqimi. Nëse nuk e paguan dot qeranë, mos e paguaj. Ne kemi një moratorium prej 90 ditësh që nuk lejon nxjerrjen nga banesa. Gjatë kësaj periudhe, mund të marrësh kredi që të mund ta paguash qeranë më vonë. Ky mesazh është edhe për pronarët e banesave të cilët jetojnë me qeratë që marrin për të paguar kreditë e shtëpive apo taksat. Ne po punojmë për një program që të plotësojë edhe kërkesat e tyre. Pra, është një barrë dhe përgjegjësi që ne të gjithë duhet ta ndajmë së bashku. Këtë periudhë krize do ta kalojmë së bashku. Qeveria do të bëjë pjesën e saj dhe dyert tona do të jenë të hapura që të gjithë të marrin shërbimet për të cilat kanë nevojë, strehim dhe ushqim.

Zëri i Amerikës: Zoti Gjonaj ju faleminderit.

Mark Gjonaj: Ju faleminderit. Lutjet e mija shkojnë për komunitetin shqiptaro-amerikan dhe për shqiptarët kudo qofshin në botë. I inkurajoj ata që të rrinë aty ku janë. Të bëjnë hall e derman, të mos dalin nga shtëpia, të mos kërkojnë të kthehen në vendlindje. Të mos kërkojnë të lëvizin me përjashtim të rasteve emergjente. Jo vetëm për shëndetin e tyre por për shëndetin e familjeve të tyre. Rrini larg shoqi-shoqit sa më larg që të mundeni. Vini maska. Nëse nuk keni maska, ndonjë peshqir apo shami, sepse kjo është në interesin e të gjithëve. Kjo është e zorshme, sidomos për komunitetin tonë, sepse kemi kulturën që kur shikohemi i japim dorën njëri-tjetrit apo përqafohemi e puthemi. Këtë kulturë duhet ta lëmë sot për sot. Shpresoj që shqiptarët ta kalojnë me sukses këtë krizë kudo që janë në botë.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular