Shtëpia e Bardhë po parashikon afro 82 mijë raste vdekjeje nga COVID-19 në Shtetet e Bashkuara deri në fillim të gushtit, një shifër më pak e zymtë sesa ç’ishte parashikuar nga modele të mëparshme përllogaritjeje. Ekspertët thonë se transparenca është thelbësore në komunikimin me publikun, gjatë kësaj krize shëndetësore por tërheqin vëmendjen se modelet e parashikimit të pandemisë nuk janë kurrë 100 për qind të sakta. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Patsy Widakuswara njofton
Një pamje rrëqethëse në Nju Jork, ku punonjësit e mjekësisë transportojnë trupa në kamionë frigoriferë, që shërbejnë si morge të përkohshme, ndërsa vdekjet nga COVID-19 rriten.
“Kjo do të jetë ndoshta periudha më e vështirë, mes kësaj jave dhe javës së ardhshme dhe për fat të keq do të ketë shumë vdekje”, tha Presidenti Donald Trump para disa ditësh.
Nëse vendi e respekton distancimin social deri në fund të majit, grupi i punës i Shtëpisë së Bardhë për koronavirusin, parashikon deri në 82 mijë vdekje nga COVID-19 deri në fillim të gushtit.
Modeli parashikon se Shtetet e Bashkuara mund të kenë nevojë për më pak krevate spitalesh, ventilatorë ose paisje të tjera sesa ç’ishte menduar më parë. Megjithatë, ekspertët e shëndetësisë paralajmërojnë kundër optimizmit të parakohshëm dhe thonë se është më mirë të përgatitesh për më të keqen.
“Një diskutim i tillë serioz na ndihmon të gjithëve si profesionalisht, edhe personalisht, që të mendojmë seriozisht për këtë çështje. Na ndihmon të përgatitemi psikologjikisht për çka na pret”, thotë William Schaffner, ekspert i sëmundjeve infektive në Fakultetin e Mjekësisë të Univerisitetit Vanderbilt.
Për të krijuar modelin e parashikimit, Shtëpia e Bardhë foli me disa universitete, përfshirë Universitetin e Teksasit, në Austin. Lauren Meyers, kryeson ekipin studimore të universitetit dhe thekson se modelet e pandemive nuk janë kurrë precise dhe janë ndryshe nga parashikimet e motit.
“Kur parashikon një stuhi tropikale, nuk e ndryshon dot drejtimin e stuhisë. Mund të marrësh masa për t’u mbrojtur por nuk ndryshon dot drejtimin e stuhisë. Kur parashikon se një pandemi mund të shkaktojë një krizë shëndetësore apo të shkaktojë shumë vdekje, ka masa që mund të merren, veçanërisht nëse vepron herët”, thotë ajo.
Parashikimet mbështeten në të dhëna të mira dhe jo të gjitha vendet kanë aftësinë për t’i mbledhur ato, apo vullnetin politik për t’i regjistruar rastet me saktësi dhe transparencë.
“Mendoj se është koha më e keqe të gënjesh për shifrat, të ndrydhësh shkencën, të ndrydhësh doktorët, të censurosh median”, thotë Daniel Runde i Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.
Koreja e Jugut ishte një nga vendet e goditura më rëndë në fazat e para të pandemisë, por është vlerësuar për përgjigjen e saj efektive dhe agresive, përfshirë zbatimin e shpejtë të testimeve masive dhe mesazhin e besueshëm dhe transparent ndaj publikut gjatë gjithë krizës.
VOA