Fondi Monetar Ndërkombëtar do të jepë 175 mln euro (190.5 mln dollarë) hua për qeverinë shqiptare. Lajmin e bëri të ditur Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko në emisonin “Ekopolitikë” në RTV Ora.
Sipas Sejkos, ky fond do të jetë i aksesueshëm javën e ardhshme.
Gent Sejko: 175 mln euro do të jepen nga Fondi Monetar Ndërkombëtar për qeverinë shqiptare, në formën e një huaje dhe likuiditeti i nevojshëm në monedhë të huaj është siguruar si nga sistemi bankar ashtu edhe nga FMN.
Në kushtet e një krizë nga koronavirusi, Sejko tha se për vitin 2020, ndoshta dhe në 2021 do të rritet niveli i borxhit dhe deficitit financiar.
Gent Sejko: Disa parametra dhe kritere që ishin të parashikuara në kohë normale sic ishte niveli i borxhit, niveli i deficitit buxhetor nuk do të respektohen, pasi jemi në gjendje të jashtëzakonshme dhe në bashkëpunim me FMN dhe institucionet e tjera ndërkombëtare ne jemi duke bashkëpunuar dhe është orientim i tyre që ne duhet të dalim përkohësisht nga disa objektive, sic ka qenë konsolidimi fiskal pra ulja e nivelit të borxhit. Pra do të detyrohemi të kemi një rritje të nivelit të borxhit për një periudhë të përkohshme dhe pastaj me kalimin e krizës do ti rikthehemi sërish konsolidimit fiskal. Mendohet që viti 2020, ndoshta dhe 2021, por e sigurt që 2020 do të ketë rritje të nivelit të borxhit, një rritje të deficitit fiskal dhe praktikisht kjo rritje do të vijë në rënie në vitet e ardhshme. Kjo është për gjithë shtet.