Teksa e gjithë bota ndodhet në gjendje të jashtëzakonshme, për shkak të përhapjes masive të koronavirusit, Komisioni i Venecias ka bërë një përmbledhje të të gjitha studimeve, ku tregon fuqitë e situatave emergjente dhe shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme.
Duke u ndalur te të drejtat e njeriut, Komisioni i Venecias vëren se shkeljet më të mëdha të të drejtave të njeriut kanë tendencë të ndodhin pikërisht në rastet e gjendjeve të jashtëzakonshme.
“Devijimet nga të drejtat themelore të njeriut janë një problem veçanërisht thelbësor pasi përvoja ka treguar që shkeljet më të mëdha të të drejtave të njeriut kanë tendencë të ndodhin në kontekst të gjendjeve të jashtëzakonshme”, thuhet në opinionin e “Venecias”.
Më tej, Komisioni i Venecias analizon dhe qëndrimet e qeverive të ndryshme në këto periudha të vështira, duke thënë se qeveritë autoritare abuzojnë për të qëndruar në pushtet.
“kompetencat e gjendjes së emergjencës janë abuzuar nga qeveritë autoritare për të qëndruar në pushtet, për të heshtur opozitën dhe për të kufizuar të drejtat e njeriut në përgjithësi”, thuhet më tej në studim.
Teksa thekson se gjithçka që ndodh gjatë gjendjeve të jashtëzakonshme duhet të jetë e shkruar dhe sqaruar në Kushtetutë, Komisioni i Venecias rendit disa nga elementët kryesorë, që kanë rëndësi dhe që duhet të ruhen në mënyrë integrale, siç janë “Këto elemente janë parimi i ligjshmërisë, ndarja e kompetencave, ndarja e pushteteve, të drejtat e njeriut, monopoli shtetëror i forcës, administrimi publik dhe i pavarur i drejtësisë, mbrojtja e privacisë, e drejta e votës, liria e aksesit politik në pushtet, pjesëmarrje demokratike dhe mbikëqyrje në vendimmarrjen publike, transparencë e qeverisjes, liria e shprehjes, grumbullimi dhe mbledhja, të drejtat e pakicave, si dhe sundimi i mazhorancës në vendimmarrjen politike”.
Gjithashtu, “Venecia” sqaron edhe rolin që duhet të ketë sistemi gjyqësor në shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, duke thënë se vendime të tilla të qeverive duhen shqyrtuar nga gjykatat e pavarura.
“Sundimi i ligjit nënkupton një sistem ku agjencitë qeveritare duhet të veprojnë brenda kornizës së ligjit, dhe veprimet e tyre janë subjekt për tu shqyrtuar nga gjykatat e pavarura. Me fjalë të tjera, siguria juridike e individëve duhet të jetë e garantuar.
Gjykatat vendase duhet të kenë juridiksion të plotë për të shqyrtuar masat e kufizimit dhe shmangie për ligjshmërinë dhe arsyetimin e tyre, dhe për pajtueshmërinë e tyre me dispozitat përkatëse të KEDNJ-së”, sqaron “Venecia”.
Ndërkohë, në studim sqarohet edhe ndihma e ushtrisë në gjendjen e jashtëzakonshme, kur duhet aktivizuar ajo, ku thuhet se “Forcat e Armatosura mund të ofrojnë mbështetje për autoritetet civile kur ato nuk mund të sigurojnë më sundimin e ligjit dhe ruajtjen e rendit”.
… [Trackback]
[…] Find More here on that Topic: startnews.news/2020/04/18/komisioni-i-venecias-sqaron-fuqite-e-gjendjes-se-jashtezakonshme-ja-shkeljet-me-te-medha/ […]
Comments are closed.