BallinaKryesore5 javë prej nisje së karantinës, Basha: Qeveria s’ka as plan as...

5 javë prej nisje së karantinës, Basha: Qeveria s’ka as plan as strategji dhe se ajo ka dështuar në përballimin e situatës   

spot_img
spot_img

DEKLARATA E KRYETARIT TE PD, LULZIM BASHA

Të dashur bashkëqytetarë!

Ju jam mirënjohës për këtë sakrificë të madhe që po bëni sot e 5 javë.
Këtë sakrificë e bëjmë në emër të jetës dhe të dashurisë njerëzore për njëri-tjetrin.

Por ndërkohë që ju keni sakrifikuar kaq shumë, fatkeqësisht ndihma dhe mbështjetja që duhet të merrni nga shteti ju ka munguar.

Gjendja në vend po rëndohet çdo ditë. Ekonomia po shkatërrohet, fasoneritë kanë nisur të preken masivisht nga Covid-19, mijëra qytetarë kanë humbur vendet e punës dhe bukën e tyre të përditshme. Dhjetëra mijëra biznese rrezikojnë falimentimin.

Me bindjen se asgjë nuk është më e rëndësishme se shëndeti dhe jeta e qytetarëve, ne jemi angazhuar fuqimisht që prej ditës së parë duke propozuar ide dhe zgjidhje si për emergjencën shëndetësore ashtu edhe për emergjencën ekonomike.

Por sot, 5 javë prej fillimit të karantinës, është e qartë se qeveria s’ka as plan, as strategji dhe se ajo ka dështuar në përballimin e situatës.

Qytetarët u urdhëruan të rrinë në shtëpi dhe bizneset të mbyllen, por nuk u mor asnjë masë që ata të mbështeteshin financiarisht për këtë sakrificë. Disa hapa gjysmakë dhe me shumë vonesë që u shpallën, ende sot e kësaj dite nuk janë zbatuar, dhe njerëzit nuk i kanë marrë akoma lekët e tyre.

Sot duhej të shpërndahej paketa e dytë e ndihmës, por edhe ky ishte vetëm një premtim tjetër bosh.

Qytetarët që tani ju duhet të paguajnë faturat e rritura të dritave e ujit, janë ende sot pa asnjë të ardhur.

Bizneset po mbyllin mijëra vende pune sepse nuk kanë asnjë mbështetje.

Masat që janë marrë në ndihmë të njerëzve dhe ekipeve shëndetësore janë të vonuara dhe të pamjaftueshme.

Kështu u neglizhuan masat për sigurimin në kohë të mjeteve të nevojshme shëndetësore, dhe pastaj me pretekstin e urgjencës, u bënë tendera sekretë dhe korruptivë.

Këto 5 javë janë rënduar shkeljet ligjore dhe kushtetuese me urdhra që vijnë nga facebook-u, ku kryeministri ka marrë përsipër të gjitha funksionet në shtet, nga polici tek doktori.

Shqiptarët kanë paguar nën qeverisjen Rama taksa, akciza dhe tarifa ndër më të lartat. Sot këto taksa duhet t’ju shkojnë në ndihmë atyre!

Njerëzit nuk kërkojnë lëmoshë — në këto kohë emergjence kombëtare atyre iu takon të marrin ndihmën financiare nga buxheti i shtetit!

Paratë janë. Por Rama zgjedh që ato të shkojne për tendera korruptivë dhe koncesione, dhe jo për qytetarët.

Qytetarët duhet të marrin menjëherë ndihmën financiare që ju takon!

Bizneset duhet të mbështeten që të mos falimentojnë dhe të largojnë njerëzit nga puna!

Ekonomia duhet të ndihmohet me të gjitha mënyrat që të mos bjerë në humnerë!

Duhet të rriten urgjentisht testimet si garancia e vetme për të ecur përpara të sigurtë!

Sa më shumë vonohen këto masa dhe mbështetja financiare për qytetarët dhe bizneset, aq më shumë thellohet kriza dhe papunësia.

Koha nuk pret!

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular