“Kontrata e lobimit e PD në SHBA është transparente”, Basha: Qeveria pagoi 720 mijë euro me tender sekret për lobim kundër opozitës
Pyetje: Kryetari i Grupit të PS, Taulant Balla ka akuzuar sot Partinë Demokratike se në kohën kur vendi është në kushte pandemie ju harxhoni 60 mijë dollarë dhe po citoj: për lobim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Balla ka publikuar një dokument ku thuhet se kontrata është firmosur në datën 10 mars nga zoti Bardhi. A ka të vërtetë në këto akuza?
Lulzim Basha: E para, nuk bëhet fjalë për asgjë të re. Kjo është kontratë në vazhdim që Partia Demokratike e ka prej 2 vjetësh, një pagesë prej 10 mijë dollarësh në muaj, qëllimi i së cilës, siç dallohet qartë në dokumentet e publikuar, sepse janë transparente në Departamentin Amerikan të Shtetit, ka qenë pikërisht për të luftuar krimin dhe korrupsionin, për të marrë ndihmën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në luftë kundër krimit dhe korrupsionit. Ajo që është vërtetuar është që, falë bashkëpunimit me autoritetet amerikane, për fat të keq për Shqipërinë, në raportet Departamentit të Shtetit dhe raportet e tjera të luftës kundër krimit, drogës dhe korrupsionit, kanë treguar se Shqipëria po zhytet thellë e më thellë në një regjim autokratik me probleme të thella korrupsioni dhe krimi. Pra kjo është një kontratë transparente që ekziston prej shumë kohësh dhe që rinovohet në mënyrë periodike. Nuk përbën asnjë lajm. Atëherë pyetja është: pse e nxori sot Taulant Balla?!
Pyetje: Mund ta thoni se cili është qëllimi i kësaj kontrate, qëllimi i këtij bashkëpunimi?
Lulzim Basha: Për një arsye shumë të thjeshtë. Qëllimi i këtij bashkëpunimi, sapo ju shpjegova, është pikërisht kërkimi i ndihmës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të mbështetur Shqipërinë në luftë kundër krimit të organizuar, trafikut të drogës dhe korrupsionit si dhe për të bërë të mundur që Shqipëria të përfitojë sa të jetë e mundur nga ndihma e institucioneve dhe ndihma financiare e SHBA në këto fusha dhe pastaj në përmirësimin e kësaj situate edhe në fusha të tjera që kanë të bëjnë me investimet ekonomike dhe me programet e ndërsjellta që ndihmojnë në marrëdhëniet mes dy vendeve. Edhe njëherë: është një kontratë që vazhdon të paktën prej 2 vitesh. Pra këtu nuk ka asgjë të re. Pyetja që shtrohet është: pse u kujtua sot Taulant Balla të nxjerrë një dokument transparent që është botuar dhe botohet në mënyrë periodike nga Departamenti i Shtetit? Cila është arsyeja? Pse sot?Sepse sot është denoncuar edhe njëherë tenderi për kitet. Sepse nuk duan të përgjigjen për tenderët sekretë që kanë bërë për shëndetësinë, ndërkohë që po sot media ka denoncuar diçka tjetër: një kontratë me një VKM sekrete të qeverisë për 720 mijë euro apo 900 mijë dollarë të taksapaguesve shqiptarë që qeveria i ka marrë për lobim. Tani, këto janë paratë e qeverisë që i përdor Partia Socialiste për të lobuar kundër kundërshtarëve politikë, kundër opozitës. Pra edhe njëherë, në këtë kontratë nuk ka asgjë të re. Është një kontratë që ekziston prej dy vjetësh, rinovohet në mënyrë periodike. Qëllimi është ndihma amerikane për të luftuar trafikun e drogës, krimin e organizuar dhe penetrimin e krimit dhe korrupsionit në qeveri dhe në organet e shtetit.
Pyetje: Por, sipas zotit Balla, kompania është e njëjta që lobon për Maduron e Venezuelës..
Lulzim Basha: Po kompania që ka marrë qeveria dhe që e paguan me lekët e shqiptarëve për të lobuar kundër opozitës që ka Nursulltanin, çfarë domethënë kjo?! Kompanitë marrin klientët që marrin. Është fare normale që partitë politike të bëjnë aktivitet lobimi. Dy gjëra ama; nuk duhet të përdorë paratë e shtetit dhe Partia Socialiste ka përdorur pushtetin, 720 mijë euro për kontratën e publikuar sot nga media dhe nuk mund ta bëjnë për të luftuar opozitën. Në qoftë se doni lajm, ky është lajmi. Ndërsa në kontratën e Partisë Demokratike gjithçka është transparente, nuk është diçka e re, ka 2 vjet kjo kontratë dhe është e publikuar në faqen zyrtare të Departamentit të Shtetit. Nuk përbën absolutisht asnjë lajm. Qëllimi është për të ndihmuar Shqipërinë, për të ndihmuar shqiptarët pikërisht që të mos ndodhin këto gjëra. Që të mos klasifikohen sekret kontratat e shëndetësisë e të vidhet me një dorë mjaftueshëm para për të paguar siç ju thashë 9 mijë pensione në qytet apo për të paguar 16 mijë pensione në fshat dhe kjo sigurisht i shqetëson ata që janë të përfshirë në korrupsion.