Nga Red Varaku
E gjendur në kushtet e kapitullimit total përballë kësaj krize, përballë një opozite që në mënyrë fisnike nuk po e përdor këtë fatkeqësi për përfitime politike, por po e bën detyrën e saj në mënyrë korrekte, qeverisë nuk i ka mbetur rrugë tjetër për të mbuluar dështimin e saj, përveç sulmit frontal kundër opozitës me shpifje, me montazhe të ulëta, me humor bajat dhe çdo lloj karagjozllëku tjetër të shëmtuar.
Një taktikë kjo, që në fakt nuk synon vetëm zhvendosjen e vëmendjes nga dështimi i saj spektakolar, por synon kryesisht zhurmimin e zërit të opozitës, e cila deri tani me sjelljen e saj ka prekur thelbin e nevojës që ka sot shoqëria shqiptare.
Jo rastësisht, e gjithë beteja politike sot e qeverisë nuk është qeverisja, por është bllokimi i komunikimit të shqiptarëve me palën tjetër, me opozitën, me atë që mund të bëjë dhe po bën diferencën në këtë situatë.
Është e qartë që ata e kanë kuptuar që mbrojtja dhe heroizimi i punës së qeverisë, tashmë është mision i pamundur. Kushdo që ka guxuar ta bëjë këtë, siç ishte rasti i fundit i Fred Pezës, ka marrë si përgjigje neveritjen dhe përbuzjen e të gjithë qytetarëve.
Ndaj përpiqen të demonizojnë opozitën apo faktorët opozitarë në Shqipëri, pasi kjo është shpresa e fundit që të ruhet statukuoja.
Tellallët e pushtetit tashmë kanë leje biles dhe të kritikojnë ndopak pushtetin, por shqetësim kryesor është gjetja e qimes tek opozita, e cila për hir të së vërtetës, përveç fjalës, sot nuk ka asgjë tjetër në dorë në kuptimin institucional të fjalës.
Këto sulme të mbushura plot mllef dhe pa asnjë argument, nuk dëshmojnë vetëm papërgjegjshmërinë e këtij regjimi, në lidhje me situatën e mjeruar ku ndodhen sot familjet shqiptare, por janë edhe prova e qartë, që komunikimi politik i qeverisë, jo vetëm ka ngecur dhe është e krejtësisht i paaftë për të krijuar një narrativë proqeveritare, por gjendet praktikisht në krizë të thellë edhe në ‘sajimin’ e tezave anti-opozitare.
Gjithë energjitë dhe bateritë e saj, të cilat po harxhohen për të bërë pis palën tjetër, për të njehsuar atë që ka 23 vjet që vjedh dhe mashtron shqiptarët me ata që kanë 23 vjet që po trajtohen si kafshë dhe që sot janë të izoluar në shtëpitë e tyre në mëshirë të lëmoshës së qeverisë, në vend që të dobësonin opozicionin, në fakt kanë bërë të kundërtën.
Kjo për shkak se ata i bëjnë keq llogaritë, sepse harrojnë që shumë njerëz e kanë ende të freskët zërin e kryeministrit tonë , i cili me një receptor telefoni në dorë, nëpërmjet dhunës dhe shantazhit kriminal ndaj qytetarëve të varfër të këtij vendi, komandonte vjedhjen më të madhe të votave në vend.
Me sa duket ata nuk e mendojnë, që shqiptarët, megjithëse një popull i lodhur dhe i persekutuar, nuk mund ta harrojnë kurrë radiografinë e ashpër të realitetit të fotografuar nga BILD dhe Zëri i Amerikës, ku e gjithë elita e PS, përfshi vetë kryeministrin, parakalonte në përgjime zyrtare në një bashkëpunim kriminal me krimin e organizuar.
Gjithsesi, me gjithë përpjekjet e dështuara për ta bllokuar zërin e saj, duke ju drejtuar pjesës së ndriçuar të shoqërisë, Opozita ia ka dalë të imponojë idetë e saj. Ajo ia ka dalë ta thyejë censurën dhe ia ka dalë që të bëjë të padobishme miliardat që po hidhen për të manipuluar shqiptarët. Sot zëri i saj nuk është vetëm i vërtetë sepse përfaqëson hallet dhe shqetësimet e tyre, por është edhe i prekshëm nga çdo qytetar, qoftë dhe për ata që nuk e mbështesin atë.