Një pjesë e madhe e shqiptarëve të riatdhesuar nga Greqia janë detyruar të marrin edhe borxhe për të përballuar shpenzimet në hotelin e karantinës. Sokol Memo ka arritur të punojë 20 ditë në Greqi, por për tu kthyer në atdhe familja e tij ka paguar edhe 70 mijë lekë të tjerë. Apeli I tij shkon drejt qeverisë me kërkesën për të marrë ndihma.
48 shqiptarë të riatdhesuar 14 ditë më parë nga Greqia kanë përfunduar karantinën dhe pasi kanë rezultuar pa shenja të koronavirusit janë lënë të lirë për të shkuar drejt familjeve.
Sokol Memo qëndroi 20 ditë në shtetin fqinj ku punoi me 20 euro në ditë.
“Paga ishte me 20-25 euro në ditë.”
Thotë se u kthye pasi mbaroi puna por paratë që fitoi nuk i mjaftuan as për tu rikthyer.
Të paktën fati e ka ndihmuar në doganë ku nuk qëndroi për shumë orë, por tregon se të tjerë qëndruan me ditë.
“Ata që ishin me letra kishin 4-5 ditë që rrinin aty.”
Në hotelin e karantinës i kanë kërkuar pagesë për të dhe djalin të cilën familja ka mundur ta mbledh nga miqtë.
“M’i sollën nga shtëpia, borxh.”
Malli për shtëpinë i ndihet në fytyrë sapo i afrohet ndërtesës e sigurisht fëmija është ajo që ia ka ndjerë më shumë mungesën.
Vuajtja e ditëve të ndalim qarkullimit i shtohet dhe ankthi për të ardhmen, ndaj dy bashkëshortët kanë një apel.
“I lutem kryeministrit që ta na ndihmojë, jo vetëm atyre që u do qejfi, se jemi hallexhinj.”