Drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetit (OBSH), Dr Tedros Adhanom Ghebreyesus i është përgjigjur sërish kritikave sot në lidhje me reagimin përballë pandemisë së koronavirusit, duke thënë sërish se besonte që e paralajmëruan botën mjaftueshëm shpejt.
“Duke parë në atë që kemi kaluar, unë mendoj se ne e shpallëm urgjencën në kohën e duhur dhe kur bota kishte kohë të mjaftueshme për t’u përgjigjur,” tha ai.
Ai shtoi se OBSH lëshoi paralajmërimin e saj kur nuk kishte vdekje dhe vetëm 82 raste.
“Kjo ishte e mjaftueshme. Data ishte 30 janar dhe kjo është më shumë se dy muaj dhe 21 ditë më parë – afër tre muaj tani”.
Dr Tedros është përballur me disa thirrje për të dhënë dorëheqjen dhe për të mbajtur përgjegjësi për trajtimin e krizës nga Covid-19, veçanërisht nga një numër ligjvënësish amerikanë. Por shumë qeveri e kanë vlerësuar organizatën, duke thënë se puna e saj në këtë kohë është thelbësore.
Kur u pyet për thirrjet për dorëheqjen e tij, Dr Tedros tha se ai do të vazhdojë të punojë “ditë e natë” për të shpëtuar jetë.
Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetit ka thënë gjithashtu se vetëkënaqësia është “rreziku më i madh” me të cilin përballen vendet në luftën kundër pandemisë, raporton The Guardian.