Një lajm i trishtë nga Policia e Kukësit. Disa ditë më parë ajo ka humbur inseptorin Refik Axhami, efektiv në Komisaaritin e Policisë Kukës, 54 vjeç i cili ka lënë pas bashkëshorten dhe tre djemtë.
Në një reagim zyrtar Policia e Kukësit shpjegon se Axhami ka pësuar hemorragji cerebrale teksa ishte në orarin e punës, me datë 18 prill dhe u paralizua menjëherë, ndërsa shpreh keqardhjen për këtë ngjarje të trishtë.
Ajo nderon emrin e tij jo vetëm si një punnjës shembullor, por edhe me vlera të larta njerëzore.
“Më datën 20.04.2020, rreth orës 03.00, u nda nga jeta punonjësi i Policisë Inspektor Refik Axhami, efektiv i Komisariatit të Policisë Kukës, në DVP Kukës. Ndarja e parakohshme nga jeta e Refikut, tronditi familjen e tij, bashkëshorten, tre djemtë, të afërmit, kolegët dhe bashkëqytetarët me të cilët u rrit dhe kaloj gjithë këto vite së bashku. Ishte pasdite e datës 18.04.2020, rreth orës 17.30, ku Inspektor Refik Axhami, vijonte të përmbushte detyrat institucionale për garantimin e rendit publik në qytetin e Kukësit se bashku me kolegët e tij, ku një goditje e menjëhershme e hemorragjisë cerebrale e paralizoj menjëherë.
Megjithëse kolegët e dërguan me shpejtësi në Spitalin Rajonal të Kukësit, ku mjekët i dhanë menjëherë ndihmën mjekësore dhe më pas e dërguan në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza”, Tiranë, ku i është nënshtruar një mjekimi më të specializuar, por goditja kishte qenë fatale dhe Refiku, nuk mundi që ta përballoj me sukses, dhe në orët e para të mëngjesit të datës 20.04.2020, ndërroj jetë.
Refik Axhami, lindi me 13 Shkurt 1966, në fshatin Shtiqen, Kukës. Më 10 Maj 1996, pranohet në strukturat e Policisë së Shtetit në detyrën trupe shërbimi dhe gatishmërie në Komisariatin e Policisë Kukës, ku shërbeu per gati 24 vjet.
Gjatë këtyre viteve, Refiku ka kryer detyra të ndryshme, pranë Komisariatit të Policisë Kukës, në strukturat e rendit publik, policisë kufitare, dhe nga viti 2015, ka kryer detyrën e ndihmës specialistit të zonës (SPZ), në Seksionin e Policimit në Komunitet në Komisariatin e Policisë Kukës. Gjatë periudhës 24-vjeçare të shërbimit në strukturat e Policisë së Shtetit, Refiku është karakterizuar nga korrektësia në marrëdhëniet me kolegët dhe eprorët, profesionalizmi dhe devotshmëria në përmbushjen e të gjithë detyrave të ngarkuara.
Disa cilësi të veçanta që Refiku, manifestonte në marrëdhëniet me kolegët dhe qytetarët ishin: Ndjenja e lartë e përgjegjësisë në kryerjen e detyrave, respekti për kolegët dhe qytetarët, thjeshtësia, qetësia, qendrimi parimor dhe profesionalizmi, si dhe vlerësimi që i bënte problemeve dhe shqetësimeve të qytetarëve të zonës policore, që kishte në përgjegjësinë e tij.
Ishin këto cilësi që e bënin Refikun, të ishte i respektuar nga kolegët dhe eprorët, por nepërmjet këtyre cilësive kishte arritur të fitonte besimin e qytetarëve. Inspektor Refik Axhami, ishte një punonjës policie me integritet moral dhe profesional. Gjatë kryerjes së detyrave ligjore, por edhe jashtë saj, Refiku vepronte i udhëhequr nga vetëkontrolli dhe toleranca, duke trajtuar qytetarët dhe kolegët me respekt dhe mirësjellje.
Ai ushtronte përgjegjësitë institicionale vetëm në përputhje me ligjin dhe procedurat standarde, si dhe në respekt të plotë të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut. Me ndarjen para kohe nga jeta të Refikut, familja humbi një bashkëshortë dhe baba shembullor, Kukësi humbi një qytetar të denjë që i dha kaq shumë qytetit të tij, në fushën e rendit publik dhe sigurisë së jetës së qytetarëve, ndërsa ne kolegëve të tij, do të na mungojë një koleg model, në mënyrën e sjelljes dhe me përkushtimin dhe profesionalizmin që manifestonte në kryerjen e detyrave ligjore që i ngarkoheshin”, shkruan Policia e Kukësit në deklaratën e saj.