71 vjeçar nga Durrësi që ndërroi jetë një ditë më parë në Sanatorium është një ish-ushtarak i lartë në Forcën Detare të Shqipërisë.
Bëhet fjalë për Çapajev Filen i cili ishte me koronavirus dhe u nda nga kjo botë gjatë mbrëmjes së djeshme.
Çapajev File ka pasur një karrierë të gjatë në Forcën Detare dhe megjithëse vitet e fundit kishte dalë në pension vijonte të ishte mjaft aktiv në aktivitetet e ndryshme të zhvilluara nga Forca Detare. Me rastin e 70-vjetorit të lindjes, File u nderua me Medaljen e Mirënjohjes nga Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka, me motivacionin “Dalluar për kontributin e dhënë si ushtarak me një karrierë të spikatur në shërbim të Forcës Detare”.
Njëkohësisht, Çapajev File ishte një anëtar i nderuar i Rotary Club dhe pjesëmarrës aktiv në veprimtaritë e ndryshme të organizuara nga kjo shoqatë në qytetin e Durrësit dhe më gjerë.
Ngushëllimin për ndarjen e tij nga jeta ka shprehur në rrjete sociale edhe Shoqata Atdhetare “Sazani”, që shkruan: “U nda nga jeta në moshën 71 vjeçare shoku ynë Z .Çapajev File.ish banor i Sazanit, ish ushtarak i lartë ku ka shërbyer në F.L.D. Duke i shprehur ngushëllimet familjes të prehet i qetë,për në do ngelet i pa harruar”.
Varrimi i Çapajev Files zhvillohet sot në orën 13.00, në qytetin e Durrësit.
Kush ishte Çapajev File?
Kapitenin i rangut I (në pension) Çapajev File ka shërbyer për rreth 44 vjet në Forcat e Armatosura, kryesisht si pedagog në Akademinë e Detarisë dhe Akademinë e Forcave të Armatosura.
Ai ka shërbyer gjithashtu në detyra të rëndësishme në Forcën Detare, duke filluar nga komandant Katri Silurues në ishullin e Sazanit, shef stërvitje në Bazën Ushtarake të Vlorës, komandant i Grupit të Anijeve Mbiujëse në Bazën e Durrësit, komandant i Shërbimit Hidrografik shqiptar, kapiten i Përgjithshëm i Porteve dhe shef i Shtabit të Forcës Detare.