Nga Kastriot Dervishi
Pando Kondi (1914-1982), lindi në Përmet, jetoi në Berat dhe vdiq në Tiranë, vuajti gjithsej 19 vjet, 4 muaj, 28 ditë burgim komunist. Hyri në burg në moshën 32 vjeçare. U përfshi në një proces së bashku me shtetasit Hamit Myftiu, Tajfur Haznedari, Xhevahir Beshiri, Ahmet Shehu, Ahmet Tozhari, Nuri Mici, Hysen Strumi, Tefik Çepele, Rrapo Balli. Akuzoheshin në bazë të nenit 4 të ligjit nr.372, datë 12.12.1946, kishin krijuar një grup të lidhur me anglo-amerikanët për të rrëzuar pushtetin. Grupi konsiderohej si i lidhur me “grupin e deputetëve” në Tiranë dhe atë të Sami Çeribashit. U dënua me vdekje fillimisht, por dënimi iu kthye në dënim me 20 vjet burgim e punë të detyruar. Vuajti dënimin e parë në vitet 1946-1964.
U arrestua për herë të dytë më 18.10.1974. U akuzua në bazë të nenin 73/1 për agjitacion e propagandë. Gjykata vërente se vijonte të ishte në rrugë armiqësore dhe se kishte shprehur pakënaqësi kundër pushtetit dhe Enver Hoxhës. Sidomos nënvizohej fakti se i ishte kundërvënë fjalimit të Enver Hoxhës së datës 3.10.1974. Ky fjalim ishte para zgjedhësve të zonës nr.209 në Tiranë dhe iu kushtua politikës së jashtme të shtetit komunist. Superfuqitë sipas Hoxhës ndodheshin “një krizë të madhe ekonomike, kulturore e shpirtërore”. Në fillim të këtij fjalimi E.Hoxha thoshte: “Ju falënderoj që caktuat si kandidat për deputet në Kuvendin Popullor mua, ushtarin e Partisë, djalin dhe vëllanë tuaj dhe ju siguroj se do t’u shërbej Partisë e popullit gjersa të rroj”. Për deputetët Hoxha thotë se “plotëson njëkohësisht funksionet e deputetit dhe punon drejtpërdrejt në prodhim, në zyrë ose në ndonjë sektor tjetër të veprimtarisë shoqërore”. Ndërsa për politikën e jashtë se ishte “e një vendi socialist, ku në fuqi është diktatura e proletariatit, që udhëhiqet nga Partia e Punës, e cila frymëzohet dhe i qëndron besnike doktrinës së Marksit, Engelsit, Leninit dhe Stalinit”.
Gjykata Popullore e Rrethit Berat e drejtuar nga Lavdosh Zotaj, me vendimin nr.1, datë 7.1.1975, e deklaroi fajtor dhe e dënoi maksimalisht me 10 vjet burgim. U la në fuqi me vendimin nr.21, datë 24.1.1975 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë. Kondi nuk mundi ta mbarojë dënimin sepse vdiq më 8.2.1982 në spitalin e burgut në Tiranë.