Frederick House është prej basketbollistëve të huaj më të njohur që kanë luajtur në Kosovë. Ai ishte te Peja në edicionin 2013\14, ndërsa më pas nuk ka luajtur si profesionist. Amerikani House (42) tani punon si trajner në SHBA, ndërsa ka kujtuar së fundi periudhën e kaluar në Kosovë.
Ai ka treguar se ishte fyer nga tifozët serb pasi ishte bërë e ditur se do të vazhdonte karrierën në Kosovë.
House kishte luajtur për Partizanin e Beogradit prej vitit 2002 deri në vitin 2004. Ishte paraqitur me shumë sukses për skuadrën e madhe serbe. Tifozët e klubit beogradas e kujtojnë ende. Pas Partizanit, House kishte luajtur në shumë skuadra e shumë vende e fare në fund edhe te Peja, raporton Koha.net.
Në një intervistë për sajtin beogradas, “espreso.rs”, House ka treguar se ka pranuar shumë letra fyese nga serbët pasi kaloi te Peja.
“Ka pasur shumë emaila të shëmtuar nga tifozët. Në secilin prej tyre kam kthyer përgjigjen e njëjtë: Kam thirrur Partizanin që të kthehem, por nuk kam pranuar përgjigje”, ka thënë House.
Për periudhën në Kosovë ka folur fjalë të mira.
“Sa i takon Kosovës, atje është ndryshe. Ka pasur tifozë të shkëlqyeshëm. Me ta kam shkuar që të ushqehem dhe të njoh kulturën e tyre”, ka thënë House.