Gjykata e Durrësit ka vendosur të lërë në burg dy autorët e dyshuar për vrasjen e dy vëllezërve Haxhiaj, pak ditë më parë në këtë qytet.
Kush jane viktimat
Mësohet se dy vëllezërit janë me origjinë nga Puka dhe prej kohësh jetojnë në lagjen nr. 7, në Spitallë. Besmir Haxhia, 36 vjeç, dhe vëllai i tij më i vogël, Voktor Haxhia, 27 vjeç, rezultojnë me disa biznese në këtë zonë. Sipas informacioneve nga Policia, bizneset që dy vëllezërit kanë, janë një lavazh, një Exchange dhe një kompani “BVAUTO”, me shërbim karrotreci dhe dhënie me qira të automjeteve. Të gjitha këto biznese, rezultojnë në emër të 27-vjeçarit Viktor Haxhia. Ky i fundit rezulton të jetë diplomuar një vit më parë për avokat, ndërsa ishte anëtar i Dhomës së Avokatisë në Durrës. 27- vjeçari nuk rezulton të ketë ndonjë të shkuar kriminale, çka mund të sillte edhe ngjarjen e djeshme.
SI U VRANË
Vëllezërit ishin duke kaluar me makinë në momentin që kanë rënë në pritë, duke u qëlluar me breshëri armësh. Autorët dyshohet se kanë qenë dy. Kanë qenë banorët e zonës që kanë dëgjuar të shtënat, duke lajmëruar Policinë. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 16:40 te tregu i makinave, në Shenavlash, te zona e Nishtullës. Forca të shumta policie rrethuan zonën, ndërsa janë ngritur edhe pika të shumta postblloku për të shkuar në gjurmët e autorëve. Mister mbetet motivi i kësaj ngjarjeje të rëndë. Policia e Durrësit për të mbledhur sa më shumë prova dhe dëshmi për zbardhjen e kësaj ngjarje ka marrë edhe dëshminë e familjarëve të viktimave. Këta të fundit kanë dëshmuar nëse dy vëllezërit kanë pasur ndonjë konflikt së fundmi apo hakmarrje të vjetër. Gjithashtu, Policia po merr edhe dëshmitë e banorëve të zonës, të cilët janë gjendur të parët, pasi dy vëllezërit janë qëlluar me breshëri armësh gjatë lëvizjes me makinë.