Për Rusinë, shkëmbimi i territoreve nuk përbën një tabu nëse ai pranohet nga Serbia. Kjo hipotezë dhe idetë tjera të ngjashme “mund të vlerësohen vetëm nga Prishtina dhe Beogradi” ka thënë ambasadori i Rusisë në Beograd, Aleksandar Botsan Kharcenko në intervistën për gazetën “Politika”.
“Aktualiteti i idesë së ‘ndarjes së Kosovës’, ashtu si edhe çdo ideje tjetër, mund të vlerësohet vetëm nga dy palët” ka thënë ai duke theksuar se secila zgjidhje e mundshme e çështjes së Kosovës duhet të konfirmohet në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, përmes miratimit të një rezolute të re, e cila do ta zëvendësonte rezolutën 1244.
Duke theksuar se kriter kryesor për Moskën është “që zgjidhja të jetë e pranueshme për Serbinë”, ai ka thënë se ajo duhet bërë pa imponim të skemave të jashtme apo afateve kohore duke iu referuar këtu nxitimit tv dërguarit special amerikan Grenell. Kharcenko po ashtu ka nënvizuar se për inkuadrimin e Moskës në dalogun Kosovë-Serbi, e domosdoshme para se gjithash është kërkesa e Beogradit.