Guardia di Finanza e Ankonës ka sekuestruar 19 tonë mbeturina elektrike dhe elektronike në portin e qytetit, me destinacion Shqipërinë.
Autoritetet, në bashkëpunim me Doganat, kontrolluan kamionin që vinte nga Gjermania dhe do të vazhdonte udhëtimin me traget për në Shqipëri.
Kamioni TIR transportonte mijëra elektroshtëpiake, si furra, lavatriçe, pianura, të deklaruara si të përdorura dhe funksionale, por një kontroll i imtë zbuloi se malli nuk kishte certifikatat e parashikuara për materialet elektrike e dorës së dytë, sipas një dekreti legjislativ të vitit 2014.
Ngarkesa u vendos nën sekuestro, bashkë me kamionin.
U denoncua shoferi i kamionit, një shqiptar 25-vjeçar, si dhe organizatori i transportit, edhe ai shqiptar, 44 vjeç, me akuzën e trafikut ndërkombëtar të mbetjeve.