Nga Edmond Duraku
Shqipëria menjëherë duhet të çlirohet nga autoritarizmi i klikës në pushtet dhe robërimi i modelit neoliberalist. Kryeministri ynë “piktor” në tentativë, i cili duhej të karakterizohej prej shpirt artisti, nuk ka lidhje as me artin, as me kulturën, por është simbol i korrupsionit, varfërisë dhe presionit ndaj qytetarëve. Veprimet e turpshme të qeverisë kulmuan me prishjen e Teatrit Kombëtar me 17 maj, me akt të paprecedentë dhe tinzar. Historia tregon që akte të tilla nuk kanë ndodhur kurrë me parë në asnjë shtet të botës.
Dhunimi i vlerave të demokracisë barbarisht nga qeveria e Edi Ramës; mënyra si arritën deri te prishja e teatrin, dhuna barbare e ushtruar nga policia e shtetit ndaj nesh, shantazhe dhe presione të vazhdueshme duke krijuar postblloqe policie për të na ndaluar që të shkojmë në protesta dhe shfrytëzimi i pandemisë Covid-19 janë “shkelm” i fundit, i fuqishëm ndaj demokracisë në Shqipëri dhe instalimi i shtetit policor. Edi Rama dhe Sandër Leshaj binom i njëri-tjetrit, beteja sapo ka nisur me të gjithë ne, pasi pas Teatrit Kombëtar, radhën e kanë shtëpitë tona siç e pësuan banorët në zonën e Astirit. Nëpërmjet prishjes së teatrit qeveria ka si synim pastrimin e parave të pista dhe legjitimimin e tyre në para të pastra si dhe instalimin e frikës tek qytetarët, artistët, gazetarët dhe aktivistët. Këta e urrejnë kulturën, por të vetmen fjalë që njohin mirë nga fjalori i gjuhës shqipe është vetëm fjala BURG.
Gjithçka arriti kulmin më 17 maj 2020, ora 4:30 e mëngjesit. Shteti policor duke ushtruar dhunë ndaj artistëve, aktivistëve, gazetarëve dhe qytetarëve që ndodheshin brenda godinës, madje me fadromat e tyre mund të na vrisnin brenda goditës. Me forcën e dhunës dhe me policinë e shtetit, Rama i vuri kazmën themeleve të demokracisë sonë. Dhuna ndaj nesh është e papranueshme. Nëpërmjet kësaj donin të instalonin frikën tek qytetarët dhe shtetin policor, por atë ditë dhe ditët në vijim protesta popullore qytetare e ka vrarë frikën, ndonëse tashmë po përdorin presionet e shumta ndaj qytetarëve.
Me armë zjarri automatike, me spraj piperi dhe gaz lotsjellës, gazetarët, qytetarët, artistët dhe aktivistët e shumtë atë ditë u dhunuan barbarisht, u tërhoqën zvarrë, u burgosën, por shpirtin e protestës kurrë nuk na e burgosin dot. Edhe mediat më të mëdha në botë i kanë bërë jehonë protestës së 17 majit.
Ne kemi të drejtë të protestojmë, ne kemi të drejtë për të reaguar në mbrojtje të drejtave dhe lirive tona dhe kundër abuzimeve masive të pushtetarëve të majtë. Askush në botë nuk na e ndalon për të protestuar. Ne nuk i kemi lejuar, nuk do ti lejojmë, por do ta rindërtojmë teatrit aty ku ishte, ashtu siç ishte dhe pa kulla. Teatri është i shqiptarëve dhe jo i pushtetarëve.
Me pankartë në dorë,
TIRANA KA 5 BURGJE
TIRANA KA 7 KOMISARIATE
TIRANA NUK KA TEATËR
TIRANA NUK KA KINEMA
Kurrë nuk do të dorëzohem, pavarësisht presioneve dhe shantazheve të shumta, gjithçka me urdhër politik. Kjo është një hakmarrje e pastër politike për të gjithë qytetarët, të cilët me trupat e tyre kanë mbrojtur prej më shumë se 27 muaj prishjen e Teatrit Kombëtar.
Protesta e parë ishte me 17 maj, protesta e dytë ishte me 18 maj, protesta e tretë me 22 maj, unë kam qenë dhe do jem në çdo protestë në mbrojtje të lirisë dhe demokracisë, kundra çdo lloj padrejtësie, korrupsioni ndaj qytetarëve, gazetarëve, artistëve dhe aktivistëve.