Nard Ndoka ka paralajmëruar qeveri tranzitore dhe zgjedhje të parakohshme në Tetor gjatë emisionit “Top Talk”.
Sipas Ndokës, kryeministri është luhatur nga qëndrimi i tij kundër qeverisë teknike.
“Tetori mund të jetë muaj zgjedhjesh, a do të jenë zgjedhjet lokale apo të parakohshme është në vartësi të ngritjes së Gjykatës Kushtetuese”, deklaroi ai në Top Channel.
Biseda në studio
Ndoka: Pjesa më e debatueshme është organizimi i zgjedhjeve, nga kush do të organizohen këto zgjedhje?! Është e domosdoshme në këto momente që kjo të ndahet përfundimisht, për faktin që organizimi i zgjedhjeve nga një qeveri tranzitore është e domosdoshme në këto kushte.
Denis Dyrnjaja: Rama nuk e ka pranuar këtë ndërkohë?
Ndoka: Nuk mund të themi që nuk e ka pranuar këtë Rama, ai se ka pranuar publikisht por në bazë të informacioneve që kam unë është luhatur goxha.
Kuptohet nga presioni i ndërkombëtarëve se nuk është që ai e bën një lëvizje të tillë nga dëshira, është një standard edhe i Maqedonisë së Veriut i cili do të implementohet edhe në Shqipëri është e pashmangshme.
Organizimi i zgjedhjeve parlamentare do të bëhet nga një qeveri tranzitore edhe për disa vite, derisa Shqipëria të bëhet pjesë e bashkimit Europian.
Dyrnjaja: Sa muaj përpara mund të hyjë në fuqi tranzitore kjo qeveri 3 muaji, 6 muaji?
Ndoka: 3 muaj përpara është e mjaftueshme, sepse nuk do të ndryshojnë 100% ministritë.
Ndoka foli edhe për kohën se kur do të ketë zgjedhje të parakohshme.
Dyrnjaja: Po bëjmë reformën zgjedhor, por nuk e dimë se si do të qaseni ju në raport me kërkesën për zgjedhje. Ju jeni për zgjedhje të parakohshme?
Ndoka: E para ka një agjendë që të jemi të qartë. Agjenda e Bundestagut gjerman vendos disa kushte dhe standarde për politikën shqiptare, Rama është në kufijtë e pamundësisë për t’u përballur me hapjen e negociatave.
Dyrnjaja: Pra ju thoni se kushti i BE-së mund të prodhojë zgjedhje të parakohshme në Shqipëri?
Ndoka: Kjo është e padiskutishme.
Dyrnjaja: Kur mund të ndodhin?
Ndoka: Tetori mund të jetë muaj zgjedhjesh, a do të jenë zgjedhjet lokale apo të parakohshme është në vartësi të ngritjes së Gjykatës Kushtetuese.