Nga Azgan Haklaj
Gjergj Kastrioti nuk ishte kryqëtar por konstruktor i Shtetit Arbëror, i cili ngadhënjeu 25 -vite mbi Perandorinë Osmane.
Harku i Triumfit, është atje në Lisusin e lashtë ilir.
Besëlidhja e Lezhës, kryefjala e historisë sonë kombëtare është vepër e Gjergj Kastriotit.
Ajo është proludi i epokës së lavdishme të Kombit tonë.
Ky kuvend vendosi me besën e Zotit, fuqinë e mendjes, forcën e shpirtit, tehun e shpatës për të ardhmen.
Gjergj Kastrioti u zgjodh i parë i të barabartëve.
Kush godet simbolet kombëtare kryen tradhëti ndaj Atdheut, milot’ do të kenë fatin e hamzave.
2 Marsi i vitit 1444, dita në të cilën princat arbëror u mblodhën në Lezhë për t’i dhanë jetë aleancës politiko-ushtarake dhe epopesë 25 vjeçare të motit të madh siç e quante me të drejtë De Rada është prologu i lavdisë shqiptare.
Kjo ditë është gurthemeli i identitetit kombëtar dhe shtetëror.
2 Marsi, vetë Besëlidhja e Lezhës, Projekti i saj politik dhe efekti që dha kjo ngjarje e madhe historike në shekujt që pasuan është studiuar përciptazi herë për shkak të motiveve politike dhe ideologjike e në raste të tjera ngase historiografia mesjetare e Shqipërisë është studiuar më tepër nga studiues të huaj si Jeriçeku, Jorga, Jokli, Shuflaj etj, të cilët me gjithë meritat e tyre nuk janë thelluar sa duhet në
ndriçimin e kësaj ngjarje kaq të madhe të Arbërisë Mesjetare.
Burrat e dheut, princat kryetrima e mendjendritur që u mblodhën me 2 Mars 1444 në Lezhën e lashtë, seli e mbretërve ilirë e kishin lexuar më së miri historinë e paraardhesve tanë, të mbrëterive Ilire dhe të shtetit të Arbërit, Principatës së Balshajve e Mbretërisë Epiriote dhe e kuptuan misionin që shtronte përpara tyre koha dhe historia.
lnstitucioni i besës i ngritur në kult, që nga koha pellazgo-ilire rregullonte marrdhaniet e individëve, gjinisë e të fisit, por pa arritur të shndërrohej në një normë juridiko- politike, si akt përbashkues mbarëkombëtar.
Udhëheqësit e Besëlidhjes së Lezhës e shdërruan Besëlidhjen, këtë kryevepër shqiptare në traktat politiko- ushtarak për t’i shërbyer luftës çlirimtare.
Nëse kryqëzimi i shpatave nga princat shqiptarë në Kuvendin e Lezhës simbolizon besën e lashtë e pagane të shqiptarëve, mbledhja e këtij Kuvendi në Katedralen e Shenkollit simbolizon Besën e Zotit, besëlidhjen mes njeriut dhe Krijuesit.
Ky kryqëzim shpatash deshmon lutjen e kërkesën ndaj Zotit që t’i ndihmojë ata në të drejtën e tyre hyjnore për të jetuar të lirë.
Me arbërorët në mesjetë ndodhi po ai fenomen që karakterizon cdo popull të lashtë dhe të qytetëruar.
Për gati një shekull beteja me invadarët otomanë arbërorët jo vetëm qendruan fort, por nuk i zhbënë vlerat e tyre morale e qytetare, kujtesën historike, traditat e mënyrën e jetesës, përkundër qëllimeve e strategjisë së armikut e bënë si qëllim të jetës e të vetëekzistencës së tyre Kauzën e Lirisë.
Janë të famshme e profetike fjalët e Gjergj Kastriotit para qytetarëve në Krujë me 28-të nëntor në vitin 1443:
Lirinë nuk ua solla un’.
Atë e gjeta midis jush.
Arbëria Paraosmane ishte një vend i zhvilluar dhe po trokiste në Epokën e Humanizmit e të Rilindjes, njëherësh me simotrat e saj europiane.
Qytetet arbërore të bregdetit Adriatik, Tivari, Ulqini, Shkodra, Lezha, Durrësi, por dhe Drishti i vogël, krahasoheshin për nga niveli i zhvillimit, vetëqeverisjes dhe statusit politik që gezonin me qytetet italiane.
Statuset e Shkodrës dhe të Drishtit të cilat e panë dritën e botimit në shqip pas më shume se 600 vitesh na tregojnë qartazi se të parët tanë që kanë banuar në këto treva kishin zgjedhë pa mëdyshje modelin perëndimor të legjislacionit e qeverisjes dhe të jetës qytetare përkundër Modelit Bizantin.
Beteja e arbërorëve për liri nuk kishte asnjë shans të kurorëzohej me fitore përballë një supërfuqie ushtarake si Perandoria Otomane, pa krijuar një bashkim politik e ushtarak të principatave shqiptare.
Pa aleatë të fuqishëm europianë.
Pa një projekt madhor, i cili duhej të ishte në thelb europianizues, i qartë në çdo detaj e vizionar për të ardhmen, nuk mund të shpresohej për sukses.
E gjithë kjo ndërmarrje vigane, politike, ushtarake e humaniste, kërkonte më në fund një emblemë të ndritshme, një burr’ shteti e strateg, cilësitë e të cilit të tejkalonin ambiciet separatiste të feudaleve të mesjetës shqiptare, për sundim, lavdi përsonale e pushtet për vehte.
Kuvendi i Lezhës dhe Arbëria patën fatin ta kenë arkitektin e Besëlidhjes së tyre, konstruktorin gjenial të bashkimit e kryengritjes çlirimtare, kryetrimin e betejave, diplomatin brilant e vizionar’ Gjergj Kastriotin.
Historia e thirri Heroin Kombëtar dhe ai u pergjigj rrufeshëm në kohën dhe vendin e duhur.
Besëlidhja e Lezhës ishte preludi i një pregatitje të gjatë e në fshehtesi të plotë i Kryengritjes së Pergjithshme Antiturke.
Gjergj Kastrioti ( Skenderbeu) e hartoi planin e luftës së paku një dekadë para Kuvendit të Lezhës.
Barleti në kronikat e tij na rrëfen se në Adrianopojë shkonin shpesh të dërguar të princërve arbër’ e i luteshin Gjergj Kastriotit të kthehej dhe t’i udhëhiqte në luftë.
Ai nuk mund të tregonte sekretet dhe ëndrrën e tij nga frika se “E dëgjonin muret”.
Fitoret e hungarezëve kundër Ushtrisë Otomane dhe përpjekjet e Vatikanit për të organizuar një kryqëzatë antiturke ishin faktorët e jashtëm detërminues në mbështetje të luftës për çlirimin e trojeve arbërore.
Besëlidhja e Lezhës opo Konfederata e princërve siç e quan bashkëkohësi i Gjergj Kastriotit dhe biografi i parë i tij Dhimitër Frangu është një rast sui-generis në Historinë e Kombit tonë.
Në Lezhë u arrit bashkimi i parë politik dhe ushtarak nën autoritetin e një organi të vetëm vendimmarrës të përbërë nga krerët e Lidhjes.
Se dyti Lidhja mori qysh në krye të herës atributet e një qeverie shtetformuese, ku përcaktoheshin qartë elementët themelore të shtetit.
Besëlidhja zgjodhi Komandant të Përgjithshëm të Ushtrisë dhe kryetar të saj Gjergj Kastriotin ( Skenderbeun), sipas parimit princes of partës “I parë i të barabartëve”.
Ajo shpalli mobilizimin ushtarak.
Krijoi arkën e përbashkët për të garantuar financat e luftës dhe ndoqi një politikë të unifikuar e vizionare në marrdhaniet diplomatike ndërkombëtare.
Në zjarrin e luftës e të betejave legjendare lindi Shteti i Përqendruar Arbëresh, pikërisht në kohën kur Ballkani kishte rënë nën robërinë turke.
Shteti i Gjergj Kastriotit, lufta dhe fitoret e arbërorëve u brohoritën dhe fituan simpatinë jo vetëm të popujve të rënë nën sundimin e Sulltan Muratit e Mehmetit të Dytë;
Venediku, Raguza, Hungaria Mbretëria e Aragonës, Franca, Anglia e Vatikani i panë shqiptaret e Prijësin e tyre si shpëtimtarë të Europës.
Kuvendi i Lezhës dhe mesazhi historik që ai la janë bërë në shekuj burim frymëzimi për shqiptarët, në betejat e tyre për liri e pavarësi.
Kuvendet e mëdha të shekulit të 16-të, të Dukagjinit e të Kuçit.
Kuvendi i Arbërit, Lidhja e Prizrenit, Lidhja e Pejës.
Kuvendi i Verrave të Llukës, kuvendet e Junikut, Ferizajt e Shkupit.
Kuvendi Kombëtar i Vlorës, Konferenca e Pezës, Konferenca e Bujanit në Tropojë janë monumente historike kombëtare në rrugën e të ardhmes.
UÇK-ja e lavdishme që realizoj ëndrrën shekullore për liri të Kosovës martire u frymëzua nga Epoka e ndritshme e Gjergjit të Madh.
Harku i Triumfit është atje në Lisusin e lashtë Ilir, selinë e mbreterve ilirë e të burrave të rëndë të racës shqiptare, të cilët me 2 mars 1444 vendosën me besën e Zotit, fuqinë e mendjes, forcën e shpirtit dhe tehun e shpatës të ardhmen tonë.
2 Marsi 1444 çeli epokën e lavdishme në historinë e popullit shqiptar.