Ish-presidenti i Republikës Bamir Topi i ftuar në emisionin “Kjo javë” në News 24, deklaroi se Edi Rama është kryeministri më i dobët në tranzicionin shqiptar.
Topi theksoi se Shqipëria sot nuk ka institucione dhe ka shumë probleme që nuk kanë zgjidhje
“A do marrë mandat të tretë Rama? Kjo pyetje nuk mund të më bëhet mua. Përpara se të arrinit nëë këtë pyetje duhet të më pyesnit se cfarë mendimi keni për menaxhimin e situatës nga Edi Rama. Unë s’kam arsye e motive personale. Por e kam thënë kohë më parë dhe e konfirmoj. Është kryeministri më i dobët i periudhës së tranzicionit. Ka administratë provinciale. Më kujton fare mirë filmin “Koncert në vitin 1936”, më kujton ata personazhe. Edhe Shqipëria sot më 2020 kështu ngjan. Nuk e vlerësoj për mirë. Është dobët. Sot Shqipëria për fat të keq nuk ka institucione. GJK nuk ka pse ta zëvendësojë Gjykata e Venecias. Ka mbi 36 mijë cështje në Gjykatën e Lartë sot dhe përgjegjësia i takon Edi Ramës”, tha Topi.
Bamir Topi theksoi se Edi Rama në këtë kohë pandemia është sjellë si amator, duke shtuar se ai e përdori kauzën politikisht.
“Ka dy pamje. Pamja e parë është ajo që ka të bëjë me pandeminë. Natyrisht janë disa rregulla që imponohen. OBSH ka vënë rregulla me kompetencë. Njerëzit, përvec asaj që thoshte qeveria, filluan të kenë kujdes për veten. Virusi në fillim ishte i rrezikshëm. Duket se kemi një kurbë jonormale. Prononcimet nuk janë profesionale, sidomos nga kryeministri, pa debat profesional. Duket se po abuzohet në bazë të cështjeve politike. Edi Rama e nisi mirë, për një pandemi të keqe. Ne iu referuam fillimisht Italisë. Me kalimin e kohës, kam parë një sjellje aspak profesionale, madje amatoreske nga kryeministri, me fasho orari që s’kanë lidhje me virusin. Deklaratat kanë qenë për cështje politike. Fazën e dytë e ka interpretuar politikisht dhe jo në mënyrë shkencore. Mori kompetenca të grupit të ekspertëve. Duhet të flisnin ekspertët”, u shpreh Topi.
I pyetur nëse pandemia e ka forcuar apo dobësuar kryeministrin Rama, Topi u përgjigj se mund të thotë me siguri që kreu i qeverisë sot ka të gjitha pushtetet në dorë.
“Nëse shkojmë deri këtu që pandemia e dobëson apo e forcon pushtetin, është fundi i botës. Nuk duhej pritur pandemia që të arrihej në përfundimin se Rama ka të gjitha pushtetet”, vlerësoi Topi.