BallinaAktualitet5 milionë lekë nën dorë për të marrë një licencë të transportit...

5 milionë lekë nën dorë për të marrë një licencë të transportit të udhëtarëve

spot_img
spot_img

Fiks Fare denoncoi mbrëmjen e së hënës një skandal korrupsioni, ku një qytetar pagoi plot 5 milionë lekë ryshfet për të marrë një licencë të transportit të udhëtarëve.

Punonjës të administratës shtetërore, të lidhur me sekserë që qëndrojnë gjatë gjithë kohës në dyert e këtyre institucioneve, kanë futur duart thellë në xhepat e varfër të një familje sarandiote, e cila prej shumë muajsh po sorollatet për të marrë dokumentin që do tu mundësojë fitimin e “bukës së gojës”. Investigimi i Fiks Fare zgjati plot 1 vit, ku gjatë kësaj kohe pjesëtarët e kësaj familje niseshin në orët e para të mëngjesit për në Tiranë dhe ktheheshin në orët e vona në Sarandë. Përpos mundit dhe djersës, një punonjës, që bënte edhe rolin e sekserit, i mori plot 5 milionë lekë për t’ia shpejtuar procedurat.

Ai pretendonte se kjo është vetëm gjysma e ryshfetit, pasi pazaret janë bërë për plot 10 mijë euro! Me zë dhe figurë, Fiks Fare dokumentoi gjatë kësaj kohe këtë korrupsion.

Soviet Laze thotë se ka një autobus 21 vendesh dhe prej 11 vitesh ka bërë linjën Sarandë – Korçë – Sarandë dhe anasjelltas.

“Unë e bleva licencën 40 e ca milionë lekë. E rinovova në bashki, vazhdova. Në 2017, e mori LSI-ja ministrinë dhe më thonë që nuk ekziston më linja Sarandë- Korçë. Unë jam i regjistruar në QKB, me certifikatë, jam nga bashkitë me taksa me të gjitha. Në 2017 më hoqën edhe shoqërinë edhe linjën. Korçarëve ua dhanë. Me të lutura ma dhanë me vonesë. Në gusht 2017. Tani do ma vënë si linjë të re. Më thanë që të mbaron në 2022. Shkoj në fund të gushtit 2018 dhe më thonë që shoqëria është hequr. Unë i kam dokumentet nga të gjitha. Tani më thonë është vetëm linja. Më thonë akoma kur të mblidhet komisioni. Përse më bëhet mua, kam marrë autobusë me qira, i kam të gjitha dokumentet. Kam licencat e vjetra. Kam shkuar në ministri edhe dokumentet, s’më kanë pritur. Deri tani asnjë zgjidhje. Më vjen gjynah (qan). Cili është ky personi që më pengon?” pyet me të drejtë qytetari, ndërsa thotë se ka shkuar me dhjetëra herë në ministri.

“Më kanë lënë pezull. Mua ma heqin të drejtën. Kur shkova në ministri më del një person, quhet Artan Haska, ishte shef sigurie, e kam shok drejtorin, më thoshte. E takova brenda në ministri në katin e parë, na qerasi me kafe me djalin, te kafja brenda ministrisë. E takova në tetor 2018. Në atë kohë që i kam dorëzuar dokumentet, më thotë që duan 10 mijë euro që të marrësh linjën përsëri. Paratë i donte ryshfet. Këtë person e kam takuar mbi 25 herë, në ministri, në klube jashtë. Ai futej brenda ministrisë, takonte atë, këtë, mund të ishte shoqërues i këtyre. Ishte shef sigurie. Vura në shitje autobusin, mora 5 milionë lekë, erdha gjithë natën. Lekët (5 milionë) i kisha mbështjellë me peshqir, i futi në sqetull dhe dokumentet do t’i çoj në sekretari. Lekët ja dhashë brenda ministrisë. Erdhi pas çerek ore. Licencën s’e kam marrë. Tani e kanë lënë të ngrirë. Ky persona më ka sorollatur. Më ka ndërruar dy numra telefoni, jo jam në Mal të Zi, jo jam në Gjirokastër, diku në punë. Nuk më ka zgjidhur punë deri më sot” thotë Soviet Laze.

Pas denoncimit, qytetari niset nga Saranda në orët e para të mëngjesit dhe bën disa orë rrugë për në Tiranë. Ai shkon sa nga Ministria e Infrastrukturës dhe nga Drejtoria e Transportit Rrugor, por në fund nuk merr ndonjë zgjidhje, pasi i thonë se linja është shfuqizuar. Në DPSHTRR i thonë se duhet të pyesë në ministri. Në ministri e orientojnë në DPSHTRR!

Pas këtyre sorollatjeve, qytetari kërkon punonjësin që i ka dhënë 5 milionë lekë, i cili prej disa muajsh kishte fikur telefonin. Pas shumë mundimesh, denoncuesi ia gjen numrin e telefonit dhe në të njëjtën ditë lënë takim në Tiranë. Ata takohen në një lokal afër Pazarit të Ri në kryeqytet. Artan Haska u thotë se dokumentet i ke në protokoll.

“Kemi lënë një pazar bashkë 10 mijë euro, ke paguar 5 milionë (lekë të vjetra), 3 mijë e 500 euro në atë kohë, apo e kam gabim? Sot bëjnë diçka euro më shumë, kurse në atë kohë bënin aq. Atëherë bënin 3 mijë e 500 euro, ja flasim hapur” e pranon se ka marrë ryshfet. Më pas i thotë se është ende akoma shef sigurie. “Po, ça jam unë! Tani, pas riformatimit që nxjerr ministria, jep licenca në bazë të kësaj, me shoqëri që ju keni shoqërinë… Dhe po të jap një fjalë burri, me tu shprehur në televizion nga Belinda Balluku, nëse nuk merrni licencën e Sarandës, më ke dhënë 5 milionë, do të jap 10 milionë lekë dhe do të ikësh, në rregull? Edhe unë kur vajta te Balluku, që u ndërruan atëherë me Damianin, më tha mua merre këtë se s’ke, po kjo i thashë unë, ah kjo po. Po të them që më 1 janar ke licencën, ka edhe 4 muaj afat” i thotë Haska denoncuesit, ndërsa i përsërit disa herë se “do të flas shqip, në qoftë se nuk të dorëzova licencën ty, do të jap 10. Më ke dhënë 5 (milionë), do të jap 10. Tani, shikoje ti. E bëjmë provë, unë të jap 5 shto edhe ti 5…”.

Më tej i thotë se ka folur me Sekretarin e Përgjithshëm që të bënte dublikatë licencës në atë kohë, po ai s’ka pranuar.

“E refuzova unë se kisha hall se mos ma dridhnin, ky është faji im. Më thanë ata mua, jepi dublikatë që të dalë me dublikatin e vjetër. Kisha frikë mos ma quanin dublikatin, nuk ma njihnin si licencë pastaj, këtë pata frikë unë. Prandaj nuk e bëra dhe e lashë. Drejtori i madh është A.DH dhe të kallëzoj unë. Është nga Fieri, është shoku im i ngushtë, e kam si vëlla. E di si do e bënin licencën tënde këta, nisja në orën 05.00 nga Saranda, mbërritja në orën 12.00 në Korçë… Dhe ne donim këtë, dhe hidhet inxhinieri, Maksi bashkë me Flamurin dhe i thotë edhe mund të bëhet kështu, po është në bazë të kilometrave, Saranda është 300 kilometra. Mirëpo ç’bënë ata, i kishin hequr 40 km dhe e kishin shkruar rruga e Kardhiqit… ” i shpjegon detaje.

Nisur dhe nga biseda, Artan Haska kishte shumë informacione për të gjitha diskutimet në ministri dhe në DPSHTRR. Në fund të kësaj bisede, Haska i thotë denoncuesit se “e ke 100 %, do ta shikojë në TV, online”.

Pas takimit të parë, denoncuesi dhe punonjësi takohen edhe disa herë të tjera, madje edhe brenda zyrave të shtetit…, takime të cilat do të zbulohen mbrëmjen e së martës në Fiks Fare!

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular