Lekët e taksave do të shkojnë për qytetarët, jo për oligarkët”, angazhimi i Bashës me bizneset në prag falimenti dhe banorët e braktisur në Kombinat.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, u takua në Kombinat me biznese që tregojnë sesa shumë është përkeqësuar gjendja ekonomike si pasojë e mungesës së ndihmës nga qeveria.
“Sektori farmaceutik në pikiatë. Kemi stoqe, problem skadence, ulje e fuqisë blerëse. Edhe kufizimi i orareve ka ndikuar” – i tha një farmaciste kreut të opozitës. Edhe një tjetër farmacist pohon të njëjtën gjendje të veshtirë. “Xhiro ka rënë, në fillim ishte interesi për maska, doreza, tani nuk blejnë thuajse asgjë. Ka ditë që xhiro bie edhe 100 %, vetëm sa e mbajmë hapur “- u shpreh ai.
Pronari i një biznesi me materiale ndërtimi pohoi rënien e madhe të konsumit dhe tregoi se pagesa e qeverisë, nuk i mjafton as për të paguar qeranë e tre muajve. “Xhiro është përgjysmuar, nuk arrijmë të paguajmë as qeranë me këto të ardhura. Kam marrë 400 mijë lekë, ndërsa qeranë e kam 150 mijë lekë në muaj”.
Në një dyqan për perde, pronarja e tij foli për gjendjen e rënduar të biznesit. “Kemi vite që e kemi hapur, por situara është shumë keq. Mundohemi me shumë vështirësi ta mbajmë”- tha ajo, ndërsa në një kafe, pronari i tij tregoi karriget bosh për të përshkruar sesa keq është biznesi dhe qytetarët. “Shumë shumë dobët. Jashtëzakonisht dobët. Kam paguar edhe siguracione për dy të punësuarit nga xhepi, që të mos ua merrja nga 260 mijë lekëshi.Njerëzit nuk kanë, bari është bosh gjithë kohës”- u shpreh ai .
Bashkë me kreun e opozitës, bizneset e identifikojnë përgjegjësin kryesor tek menaxhimi i keq që qeveria i bëri krizës së pandemisë, duke shkaktuar papunësi masive dhe thellim të varfërisë.
“Këto kohë pandemie, kur duhet të kishin vëmendjen tek ju, lekët e taksave i kanë çuar tek 4-5 oligarkë. Biznesin e kanë lënë në ditën më të zezë. Kam qenë kudo. Është gjendja shumë e keqe në çdo cep të Shqipërisë. Varfëri, papunësi dhe biznese që mbyllen.”- u shpreh kreu i opozitës, i cili u takua edhe me banorë të Kombinatit. Ata i treguan zotit Basha se shumica jetojnë me punë ditore, pension, pagesa invaliditeti, të cilin mezi e marrin në radhët e gjata dhe se nuk kanë marrë asnjë ndihmë.
“Ju jap fjalën që lekët e taksave tuaja do të vijnë tek ju, nuk do të shkojnë më as tek oligarkët, as për udhëtime luksi. Kur merr avionin privat dhe kalon fundjavën në Paris, kur u jep qindra mijëra euro oligarkëve, nuk të shkon mendja tek ata që janë pa bukë”- theksoi Lulzim Basha, duke iu referuar ngjarjeve të fundit të denoncuara nga opozita dhe për të cilat Edi Rama nuk ka dhënë akoma një përgjigje për arsyen e vizitës me avion privat në Francë.