Pas shtatë muajsh hetime, Policia dhe Prokuroria e Kavajës kanë vënë në pranga dy pronarë hotelesh për shfrytëzim prostitucioni. Bashkë me ata janë arrestuar dhe pesë femra që ushtronin prostitucionin dhe një klient që u kap në momentin intim.
Gjithçka u bë e mundur falë operacionit të koduar “Zhuri”.
Policia e Kavajës, pasi kishte siguruar të dhëna se disa femra shfrytëzoheshin për prostitucion nga dy pronarë hotelesh, kanë regjistruar procedimin penal në Prokurori dhe nën drejtimin e saj, pas 7 muajsh hetime siguruan prova për dokumentimin e këtij aktiviteti kriminal.
Në këtë kuadër, Policia dhe Prokuroria e Kavajës në bashkëpunim me Sektorin e Forcave Operacionale Tiranë zhvilluan operacionin “Zhuri”, në kuadër të të cilit u ekzekutuan masat e sigurisë të lëshuara nga Gjykata, pas provave të siguruara gjatë hetimit dhe konkretisht ndaj shtetasve:
B. Gj., 61 vjeç, banues në Rrogozhinë, me masë sigurie “Arrest në burg”, për veprat penale “Shfrytëzimi i prostitucionit” dhe “Mbajtja e lokaleve për prostitucion”. Ky shtetas është pronar i një hoteli në zonën e quajtur”Bishti i Zhurit”, në Rrogozhinë.
F. H., 58 vjeç, banues në Rrogozhinë, me masë sigurie “Arrest në burg”, për veprat penale “Shfrytëzimi i prostitucionit” dhe “Mbajtja e lokaleve për prostitucion”. Ky shtetas është pronar i një hoteli në zonën e quajtur “Bishti i Zhurit”, në Rrogozhinë;
M. M., D. M., G. D., Q. R. dhe V. M., me masë sigurie “Arrest në burg”, për veprën penale “Prostitucioni”.
Gjithashtu u arrestua në flagrancë shtetasi R. L., banues në Divjakë, pasi është kapur në flagrancë në ambientet e hotelit në pronësi të shtetasit B. Gj., duke kryer marrëdhënie seksuale kundrejt pagesës, me shtetasen Q. R.
Në cilësinë e provave materiale janë sekuestruar 370.000 lekë të reja, të përfituara nga shfrytëzimi i këtyre shtetaseve për prostitucion, 7 telefona celular dhe një autoveturë.
Materialet në ngarkim të këtyre shtetasve i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kavajë, për veprat penale “Shfrytëzimi i prostitucionit”, “Mbajtja e lokaleve për prostitucion“ dhe “Prostitucioni“.