Qendra për Ruajten dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA) ka mësuar për një zjarr në datën 13 maj në malin e Zepës, në Klos, midis fshatit Xhuxhë dhe Dardhë, në një lartësi 900-1000m mbi nivelin e detit.
Pas vlerësimit në terren, ekspertët e PPNEA dolën në të njejtin përfundim me banorët e intervistuar se zjarrvënia ka qenë e qëllimshme. Ende nuk disponohen të dhëna mbi shkaqet e këtij veprimi.
Dëmet e shkaktuara nga zjarrvënia janë të konsiderueshme, duke përfshirë një sipërfaqe pyjore prej 500 hektarësh të përzier me pishë të zezë (Pinus nigra), hartinë (Pinus sylvestris), bredh të bardhë (Abies alba), dushk (Quercus sp.) dhe ah (Fagus sylvatica).
Ekspertët janë të mendimit se nga ky dëm kolosal i shkaktuar, vetëm 10% e sipërfaqes së djegur mund të rigjenerohet, ndërsa pjesa drastike prej 90% është e parikuperueshme. Një dëm i konsiderueshëm është kryer edhe ndaj faunës së zonës, ku reptilë të djegur u identifikuan me sy të lirë përgjatë ekspeditës.
PPNEA, përgjatë përpjekjeve disavjeçare për shpalljen e rajonit të Munellës si zonë të mbrojtur, ka lobuar gjerësisht mbi rëndësinë e kësaj zone si habitati kryesor i Rrëqebullit të Ballkanit në Shqipëri.
Zjarrvënia në fjalë ka ndodhur midis dy nënzonimeve, një qendrore dhe tjetra zonë zhvillimi të qëndrueshëm, çfarë do të thotë se habitati kryesor e Rrëqebullit të Ballkanit është dëmtuar në mënyrë kritike.
PPNEA i bën thirrje autoriteteve qendrore si dhe atyre lokale për një menaxhim më të mirë të hapësirës në fjalë, duke i dhënë vëmendjen e merituar, me qëllim evitimin e ndodhive me impakt negativ si kjo që jemi duke dëshmuar.