Aktori shkodran, Marko Caka, ka marrë pjesë në produksione të ndryshme filmike vitet e fundit dhe duket se nga viti në vit po arrin në tjetër nivel në Hollywood.
Ai u trajnua gjithashtu nga trajneri Ron Millkie në shfaqjet bashkëkohore, tregtare dhe teatrale. Marko u bashkua më pas në industrinë amerikane të filmave, ku shfaqjet e tij të jashtëzakonshme e vlerësuan atë për anëtarësimin e tij në SagAftra.
Tani së fundmi Marko i është bashkuar një produksioni hollivudian, ku do të luajë krah Halle Berry. Postimi i tij i fundit u motivua nga protestat dhe trazirat disaditore në Amerikë, pas vrasjes së George Floyd, me aktorin që doli kundër racizmit.
“Ne punojmë së bashku. Ne jetojmë së bashku. Ne ndryshojmë atë së bashku! Është privilegji im të punoj me ty”, shkruante aktori teksa pozon krah Halle Berry. Ndërkohë, Marko luan rolin e një gangsteri rus në “Bruised”, i cili është një film sportiv amerikan i ardhshëm, i drejtuar nga Halle Berry, me skenar të Michelle Rosenfarb.
Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Plus”, pyetjes se me çfarë syri e kanë parë amerikanët, si shqiptarin që arriti të depërtojë me portretin e veçantë si aktor i personazheve të epokës së kaluar, ai i është përgjigjur: “Kam pasur fatin të pëlqehem nga regjisori i madh, Steven Spielberg, me një skenë të vogël të një karakteri modest të reporterit të viteve ‘50-’60 apo të shefit të Policisë të viteve ’70, që pëlqimi te të tjerët të ishte më i lehtë në projekte filmike të produksioneve të mëdha dhe të regjisorëve me çmime Oscar, si i ai i doktorit në vitet 1900, apo i një dizenjuesi artistik të viteve 1850, apo i gangsterit në vitet 1920 dhe sa e sa të tjera role. Pra, është një privilegj që më është krijuar nga drejtorët e kasteve, bashkë me pëlqimin e regjisorëve, të cilët u japin shumë rëndësi edhe roleve të mia të vogla skenike.”
Ndërkohë që njihet si shqiptari i “Fast and Furious” krah aktorëve të famshëm, faktin se si arriti të ketë sukses, duke qenë se nuk ka lindur në SHBA dhe s’është fëmija i një aktori apo regjisori të madh, ai e shpjegoi kështu: “Gjithçka ka nisur me një audicion të garave të shpejtësisë tri vite më parë, sepse unë jam një shofer i çmendur pas shpejtësisë, që casting director të vendoste të më jepte një karakter. Do të luaja rolin e policit në një skenë me ‘The Rock’ e Jason Statham. Madje, kur kam marrë licencën e shoferit profesionist pas “Fast and Furious” të fundit, instruktori më tha që: Ti je shoferi më i famshëm i kësaj kategorie për Nju Jorkun. Dhe u ndjeva shumë i privilegjuar me këtë vlerësim, sepse kam filluar të marr role të shoferit personal të yjeve të filmit në disa skena, që do të shfaqen së shpejti në ekranin e madh.” /Panoramaplus.al