Nga Bujar Karoshi
Skenë e pa shkruar: Skavica deri më tani ua ka ngrënë kokën dy kryeministrave. Ky ose është i treti ose është i treti që do t’ia hajë Skavicës kokën…
Kryeministri, Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Drejtori i KESH luajtën serinë e re të sezonit të ri të serialit “Skavica”. Dhe si në çdo telenovelë, çdo seri ka një të papritur.
Dhe, sipas meje, të papriturat janë këto:
1. Skavica shpëton 10 mijë shtëpi nga përmbytjet në Shkodër e Lezhë (për 10 mijë që përmbyten në Dibër do të flasim serinë tjetër).
2. Rama thotë që do ta ndërtojmë me forcat tona. Balluku thotë do kemi partner BERZH. (Paratë do ti sigurojë kanabisi, do ta shohim serialin tjetër).
3. Skavica A konkuron me Skavicën B. Po humbi varianti B, variantit A i shtojmë Katundin e Ri si bakshish per atë që do vijë… (Do ta shohim në një nga seritë).
4. 1.5 milionë euro për studimin e fizibilitetit. Që do të thotë ca para qyl për punën që kanë kryer inxhinierë shqiptarë me rrogën e shtetit vit pas viti. (E keni parë në seritë e kaluara. Në seritë e ardhshme thjesht do të rishihni ndonjë episod).
5. Kush e ka tokën dhe shtëpinë deri 443 m mbi nivelin e detit bëni gati valixhet, kush e ka 444 metra bëni gati varkat: do të kënaqeni duke gjuajtur peshk…
6. Skavica është në Kukës. Pse ankoheni ju dibranët? (Debat në një nga studiot televizive, aty ku do ta caktojë regjizori).
7. Çështë e vërteta, Skavica shkakton ca probleme mjedisore e sociale, por me punë, propagandë e sakrifica, qeveria do t’ia mbushë mendjen popullit që e ardhmja e ndritur i pret… (skena idilike, romantike e dashurie seri pas serie).
8. Deri më tani na e kishin mbushur mendjen se Skavica zgjidhte problemin energjisë në Shqipëri. Sot rezultoi se nuk e zgjidh, d.m.th do të vazhdojmë të importojmë. (Seritë me aksion, si të përballojmë situatat e paparashikuara).
9. Njerëz, mbani duart pastër. Po vjen dita që ti lani duart me mjaltin që rrjedh Drinit… (Episod futurist në mbyllje të çdo seriali).
10. Pyetje nga publiku nuk pranohen në këtë fazë. (Ato ta nxjerrin skenarin jashtë skenarit. Për pyetje, paqartësi, kërkesa apo shqetësime të tjera, prisni fushatën elektorale. Në atë kohë gënjeshtra ngjit si e vërtetë).
11. Skenë e pa shkruar: Skavica deri më tani ua ka ngrënë kokën dy kryeministrave. Ky ose është i treti ose është i treti që do t’ia hajë Skavicës kokën…
Në foto: Katundi im para Skavicës. Fotografuar falas për mua nga Hajredin Toca.