Një aksion i Inspektoratit të Kombëtar të Mbrojtjes së territorit për të prishur disa ndërtesa pa leje në plazhin e Velipojës ka shkaktuar kundërshtimin e fortë të banorëve. Përplasja ka qenë fizike dhe në ndihmë të IKMT-së kanë shkuar edhe Forcat Speciale të Shkodrës.
Për të zmbrapsur banorët ato kanë hedhur gaz lotsjellës ndërsa nuk kanë kursyer as gratë dhe të miturit. Siç duket edhe nga videot e siguruara nga lapsi.al një vajzë ka humbur ndjenjat. Banorët kanë kundërshtuar aksionin duke përdorur mjete rrethanore si gurë dhe lopata, por nuk ia kanë dalë dot që të ndalin forcat e policisë që kanë përdorur edhe gazin lotsjellës për t’i shpërndarë.
Pronarët e ndërtesave u janë lutur autoriteteve që aksioni të zhvillohet në shtator duke u dhënë mundësinë që të punojnë gjatë verës, por kërkesa nuk është marrë parasysh. Nga ky aksion është përjashtuar IMT e Bashkisë Shkodër, e cila nuk është njoftuar për ndërhyrjen.
Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi, në një prononcim për gazetarët dhe se do të qëndrojë atyre derisa të sjellin shkresën me shkrim për shembjen e këtyre bizneseve. Sipas Ademit edhe nëse ka një vendim të tillë, ajo propozon që ato të mos prishen tani, por në një fazë të dytë pas sezonit veror.
Në krahun tjetër inspektorët e IKMT-së thanë se aty janë planifikuar për tu shembur 27 objekte dhe ky ishte i pari që u shemb ndërsa një tjetër është çmontuar nga vetë pronari. Edhe një ditë më parë aksioni i Inspektoratit Kombëtar të Territorit në këtë zonë u shoqërua me tension mes policisë dhe pronarëve të lokaleve të plazhit.