Me kërkesë të përfaqësuesit të maxhorancës në Këshillin Politik, Damian Gjiknuri, katërshja politike do të mblidhet sërish sot për të reflektuar marrëveshjen e arritur të premten që shkoi, në Kodin e ri Zgjedhor.
Përmes një e-maili dërguar Oerd Bylykbashit, Petrit Vasilit e Rudina Hajdarit, Gjiknuri shprehet që mbledhja të bëhet ditën e premte, në orën 11:00, për të përfunduar me draftin dhe ta kalojë atë në Komisionin Parlamentar.
“Mbledhja duhet të trajtojë të gjitha temat e mbetura dhe të miratojë gjithë paketën e amendimeve që adresojnë marrëveshjen e arritur. Kjo bëhet edhe më e mprehtë nga nevoja për të kaluar të gjitha procedurat parlamentare, deri në miratimin e saj në seancë plenare, duke pasuar edhe me zgjedhjen e organeve përkatëse brenda këtij sesioni parlamentar, që mbaron në fund të korrikut 2020. Çdo vonesë në miratimin e ligjit dhe zgjedhjen e organeve të reja të KQZ-së, do të rrezikojë fillimin e implementimit të teknologjisë për identifikimin elektronik në të gjithë vendin”, shkruhet në e-mailin e dërguar nga z.Gjiknuri.
Më tej, ky i fundit shkruan: “Temat e tjera që kemi vendosur t’i adresojmë të ndara nga Kodi Zgjedhor, mund t’i trajtojmë në një mbledhje tjetër, pasi puna e këtij Këshilli do të vazhdojë sikurse është rënë dakord me trajtimin e çështjes së sistemit zgjedhor, ligjit për referendumet dhe ligjit për financimin e partive politike”.
Pas mbledhjes me Këshillin Politik, dy bashkëkryetarët e Komisionit Parlamentarë të Reformës Zgjedhore, Damian Gjiknuri dhe Rudina Hajdari, do të zhvillojnë në orën 17:00 një mbledhje online me anëtarët e Komisionit Parlamentar të Reformës, për t’i informuar në lidhje me punën e bërë në Këshillin Politik.
OPOZITA
Teksa maxhoranca kërkon që brenda korrikut të zgjedhë strukturat e reja të KQZ-së, një grup deputetësh prej 39 vetë të opozitës së re kërcënojnë se nuk do ta votojnë draftin e dakordësuar me opozitën jashtë parlamentare, pa ndryshuar sistemin zgjedhor apo pa hapur listat. Ata dështuan që të arrinin një konsensus për këtë, edhe pse dy ditë më parë u takuan me kreun e Kuvendit, Gramoz Ruçi, dhe Kryeministrin Rama.
Por çfarë ndodh nëse në Parlament, maxhoranca nuk siguron dot minimalisht 84 vota për të votuar draftin e ri?
Ish- kryetari i KQZ-së, Ilirjan Celibashi, sqaroi për gazetën “Panorama” se, nëse drafti i ri nuk kalon dot në Parlament, atëherë Shqipëria mbetet me draftin aktual.
Ndërkohë, sa i përket Kolegjit Zgjedhor, Celibashi u shpreh se anëtarët e këtij Kolegji do të zëvendësohen dhe do të mbesë siç ka qenë në zgjedhjet e shkuara.
“Nëse nuk sigurohen 84 vota, atëherë do qëndrojë në fuqi Kodi aktual. Sa i përket Kolegjit Zgjedhor, ai do të krijohet, por gjyqtarët që janë shkarkuar nga vetingu do të zëvendësohen dhe nuk është kusht që ta kenë kaluar vetingun”, tha Celibashi. PANORAMA