Kanë kaluar 2 ditë nga provimi i maturës shtetërore në lëndët e Gjuhë Letërsisë dhe ende nuk kanë dalë përgjigjet e sakta të testit.
Pedagogu Luçiano Boçi thotë se testi ishte banalisht i lehtë dhe të penalizuarit prej tij janë nxënësit e mirë.
Boçi: Ministria dhe specialistët kanë thënë se testi në përmbajtje ishte i lehtë, ishte banalisht i lehtë. Ky test ngatërron ose hedh në rrugë të gabuar nxënësin e mirë që mbështetet te njohuria. Kjo lehtësia banale, joprofesionale bëri që sot nxënësit e mirë janë të penalizuar.
Përkundër kontestimeve, Boçi paralajmëron edhe çudira me rezultatet.
Boçi: Në idenë e mbajtjes fshehur bëhet sikur testi hartohet brenda një nate, u vendosën kësaj radhe dhe emrat dhe kjo ishte shumë e dyshimtë. Personalizimi është shumë e lehtë për ta ndihmuar nga burimi qëndror. Do të ndodhë në Letërsi, këtu do të jemi, sipas Çelësit do të ketë dhe nxënës me 10 por që nuk janë të 10 sepse kanë përdorur elementë të tjerë. Kjo do të irritojë akoma më shumë.Mund të ketë raste shumë më të vogla në raport me 32 mijë, por ku ndodhin janë raste që dëshmojnë se sistemi ka rënë siç doli kopja, ndihmat që u dhanë brenda. Për këtë arsye kërkuam që ky provim mature të mos zhvillohej kësaj radhe.
Për Ora News, ish-deputeti demokrat inkurajon maturantët të vazhdojnë këmbënguljen e tyre, ndërsa një mesazh ka edhe për Ministren.
Boçi: Besoj se maturatët do ta vazhdojnë këmbënguljen e tyre. Testi i Letërsisë edhe vitin e kaluar nuk ka qenë shumë profesional. Alternativa në Letërsi nuk është shumë efikase por edhe hartimi i alternativave ishte i gabuar. Zonja Ministre ku janë përgjigjet? E turpshme që sot Besa Shahini fshihet dhe nuk takon maturantët. Mënyra e sjelljes së saj është në kufijtë e turpit skandaloz.
Boçi nuk shpreson në një reflektim të MAS, ndaj sipas tij maturantët duhet të kërkojnë anulimin e provimit.
Boçi: Ministria dhe QSHA duhet ti vënë gishtin kokës dhe hartuesit e testeve të matematikës të jenë të angazhuar për të dorëzuar para nxënësve teste që kanë përgjigje të sakta, të qarta dhe të bëjnë një transparencë imediate të testeve. Çelësi i përgjigjeve duhet të dalë dy orë pas provimit, nuk kanë pse të rrinë në stres ekstrem duke pritur provimin tjetër. Nuk pretendoj që ministria do të reflektojë, janë të vendosur që testi ishte shkencor. Mënyra e duhur duhet të ishte që maturantët të kërKonin anulimin total. Nuk kam shpresë fare që Ministria të reflektojë, pret datën e provimit tjetër që maturantët të kaplohen nga emicioni i daljes për matematikën dhe ta lënë pas Letërsinë.
I pyetur sesa do të ndikojë ky provim në të ardhmen e tyre për tu ulur në auditore nesër ai ka këtë përgjigje.
Boçi: Shkatërron meritën e nxënësve dhe hedh në erë gjithë investimin jetësor të tyre dhe familjeve të tyre.