Vrasja e Artan Cukut përfshihet në 50 vrasjet më të bujshme në botë për arsye shtetërore në shekullin 21.
Ish-drejtori i policisë së Vlorës dhe një nga drejtuesit më të vlerësuar të policisë në vitet e fundit në Shqipëri që u ekzekutua më 8 prill 2017, është bërë pjesë e një libri të hartuar nga një organizatë të rëndësishme ndërkombëtare.
Në Gjenevë të Zvicrës është prezantuar libri “Fytyra e vrasësve”,i hartuar nga një grup ekspertësh nga e gjithë bota të organizatës “Iniciativa globale kundër krimit transnacional”.Në këto 50 vrasje janë përfshirë ekzekutime të personaliteteve shtetërore në 40 shtete nga e gjithë bota pas vitit 200-.
Nga rajoni ynë dy vrasje janë nga Serbia, një nga Kosova dhe një nga Shqipëria. Në Shqipëri ky libër ka përfshirë vrasjen e Artan Cukut të ndodhur 3 vjet më parë në kryeqytet. Mark Sho, drejtor i organizatës “Iniciativa globale kundër krimit transnacional” tha gjatë prezantimit të këtij libri: “Krimi i organizuar reagon në përmjet ekzekutimeve ndaj përfaqësuesve të shtetit dhe si e tillë ai është shumë i vështirë si fenomen për tu kuptuar dhe për tu zbuluar gjithashtu”.
Më tej ai shtoi se “ne kërkojmë që komuniteti ndërkombëtar ta kuptojë krimin e organizuar si një forcë që është e kundërta e integritetit që përfaqësojnë disa përfaqësues të shtetit që luftojnë kundër padrejtësive, krimit dhe korrupsionit por që fatkeqësisht paguajnë një çmim shumë të lartë, jetën.
Ja çfarë shkruhet në libër
Në mbrëmjen e 8 Prillit 2017, policia shqiptare ishte alarmua për një incident në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë. Kishte një vrasje. Viktima, ishte ish-shefi i policisë shqiptare, Komisari Artan Cuku. Ai u gjet i vdekur nga bashkëshortja e tij, Marjola, menjëherë pas orës 8 të të darkës në hyrje të bllokut të tyre të apartamentit. “Unë sapo mbërrita në shtëpi me dy fëmijët kur dëgjova disa zëra dhe më pas dy të shtëna”- tha ajo.
‘Unë u përpoqa të telefonoja Artanin për t’i treguar atij që diçka po ndodh, por ai nuk u përgjigj. Pastaj shkova drejt hyrjes, ku e pashë të shtrirë në tokë. Kur u përpoqa të ngre kokën e tij, pashë që nuk kishte shenjë jete. Nuk e di sa kohë qëndrova atje duke qarë”-thotë Marjola.
Komisar Cuku ishte një personazh i shquar publik në luften kundër Krimit të Organizuar në Shqipëri. Gjatë karrierës së tij 20-vjeçare në shërbimin e policisë, ai kishte arrestuar rreth 1000 persona të lidhur me grupe të njohura kriminale.
Tonin Voci, Drejtor i Departamentit të Policisë Kriminale në Drejtorinë e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, i thotë autorit të librit se: “Artan Cuku tregoi vendosmëri të jashtëzakonshme për të luftuar kriminalitetin në përgjithësi dhe krimin e organizuar në veçanti. Ai direkt hetoi më shumë se 45 organizata kriminale. Ishte protagonist që qëndroi pas hetimeve të shumë incidenteve kriminale serioze në të gjithë vendin. Vetëm në Vlorë, ku Cuku kishte shërbyer si drejtor i policisë, 21 grupe të krimit të organizuar janë shkatërruar dhe janë sjell para drejtësisë, dhe 47 aksione police përfunduan me sukses”.
Enrik Mehmeti, gazetar i televizionit me seli në Vlorë i cili ka cili ka raportuar për shumë nga hetimet penale të Cukut, tha: ‘Gjatë operacioneve të tij, Artan Cuku ishte emocionalisht dhe fizikisht i përfshirë, duke udhëhequr me shembull dhe inkurajim punonjësit e tjerë të policisë në luftë kundër krimit, nga i cili frika e kapjes nga agjentët e zbatimit të ligjit ishte e madhe.
Besimi të cilin ai krijoi dhe kurajo që tregoi, e ktheu në një hero të qytetit të Vlorës. Ai pati marrdhënie të mira me të gjithë, por ishte agresiv kur bëhej fjalë të përballej me kriminelë’.
Prokuroria dhe Policia, nën presionin e medias dhe publikut të gjerë, vepruan shpejt. Hetimet gjetën që vrasesi ishte Mikel Shalari, 24 vjeç banues në Tiranë me një të kaluar kriminale. Dy muaj pas incidentit, policia arrestoi Shalarin, i cili rrëfeu para prokurorëve se atij i ishte ofruar një shumë prej 25.000 € nga Bledar Jambelli për vrasjen, 3 000 € nga të cilat ishin paguar në fillim dhe të tjerat do ti jepeshin sapo të mbaronte punën
Jambelli ose Rikardo Muho – nga Fieri, ishte një kriminel i spikatur që ishte shumë i njohur për Policinë shqiptare për shkak të përfshirjes së tij aktivitete të paligjshme në Spanjë dhe vendet e tjera evropiane. Sipas policisë, Jambelli ka organizuar vrasjen e Cukut, dhe, pasi dha dëshminë Shalari, ai u arrestua nga INTERPOL në Greqi më 31 dhjetor 2018, me akuzën për vrasjen e Cukut. Gjykata e shpalli fajtor dhe u burgos.
Vrasja e Cukut mund të lidhet me kohën kur ai ishte drejtor i Policisë në qytetit të Vlorës dhe ishte në krye të hetimit që çoi në arrestimin e Jambellit në vitin 2012 për një vrasje të kryer në 2006. Megjithatë, disa muaj më vonë, oficerët e lartë të policisë e hoqën Cukun nga çështja dhe gjykata e liroi Jambellin për shkak të mungesës së provave.
Për ironi, kur Cuku u vra nuk ishte më në shërbim të policisë. Ai ishte shkarkuar në qershor 2014 pas ndryshimeve politike në Shqipëri.
Ish Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Ahmet Prençi thotë: ‘Imagjinoni një oficer policie i cili ka punuar në vijën e parë e luftës kundër krimit dhe befas shkarkohet nga detyra dhe hidhet në rrugë. Ishte e turpshme, absurde dhe largim i pajustifikuar.
”Sipas të gjitha gjasave, vrasja e Cukut ishte organizuar për t’i dërguar një mesazh kërcënues për të gjithë ata ata që mund të kenë dashur të rihapin investigimet për aktivitetet kriminale të Jambellit në të ardhmen. Sipas Prençit, të hapësh një dosje të vjetër në Shqipëri do të kishte qenë shumë e dëmshme për të.
Në një bisedë me gruan e tij, Cuku i kishte thënë: ‘Nuk kam frikë nga vdekja për aq kohë sa jam me ligjin e Zotin. Kam më shumë frikë të jetoj si frikacak sesa të vdesësh si njeri.
”Dukej se fjalët e Artan Cukut ishin profetike; sepse jo shumë kohë pasi shprehu këtë ndjenjë, ai u gjet i vdekur. Më 2 prill 2019, u dha Artan Cuku titulli i Dëshmorit të Kombit nga qeveria shqiptare për sakrificën e jetës së tij për shkak të detyrës së tij.