SACEUR Recognition Award për ushtarakun shqiptar në Komandën e NATO-s Itali.
Më datë 15 qershor 2020, në Komandën e Forcës së Bashkuar të NATO-s, Napoli, Itali, u zhvillua ceremonia e dekorimit të personelit të kësaj komande, ku vendi ynë është i përfaqësuar prej më shumë se një dekade. Ndër çmimet e shpërndara në këtë ceremoni ishte “Çmimi i Mirënjohjes i Komandantit Suprem të NATO-s në Evropë”, që për herë të parë në këtë komandë iu akordua një ushtaraku shqiptar, konkretisht, nënkolonel Dritor Papa, shef i Sektorit të Operacioneve të Informacionit, në Drejtorinë e Operacioneve. ‘SACEUR Recognition Award’ është një çmim tepër prestigjos që ka filluar të përdoret nga viti 2014, nga Komandanti Suprem i NATO-s në Evropë, për të evidentuar dhe shprehur mirënjohjen për personelin e dalluar për arritje të jashtëzakonshme në kryerjen e detyrës, shembull personal dhe aftësi të larta drejtuese. Vlerësimi i nënkolonel Papa është një tjetër shembull konkret i profesionalizmit që karakterizon personelin e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë në misione e struktura ndërkombëtare jashtë vendit, në shumë vende të botës.