Skema e pensioneve për vitin 2019 ka rezultuar me një deficit prej 27.1 miliardë lekësh apo 218 milionë eurosh.
Referuar të dhënave zyrtare të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, të ardhurat nga skema e detyrueshme e sigurimeve shoqërore, regjistrohen në 98.9 miliardë lekë, apo 3 miliardë lekë më të larta se në vitin 2018, ndërsa shpenzimet janë rritur edhe më shumë pasi rezultojnë në vlerën e 126 miliardë lekëve gjatë vitit 2019 apo 5.4 miliardë lekë më shumë se një vit më parë, me një defiçit në skemë prej 27.1 miliardë lekësh, duke bërë që të thellohet me 2.5 miliardë lekë krahasuar me një vit më parë.
E gjithë kjo shumë është mbuluar në formë subvencioni nga buxheti i shtetit. Ndërkaq, duket se skema e pensioneve ende është e varur nga buxheti i shtetit pavarësisht se numri i kontribuuesve ka ardhur në rritje në raport me 2018-ën me 3813 persona, duke u regjistruar në 781,924 individë në 2019. Po ashtu edhe paga minimale mbi të cilën llogaritet pensioni ka qenë 26 mijë lekë nga 24 mijë lekë. Megjithatë, shpenzimet janë ndikuar nga numri i pensioneve të lidhura në fund të 2019-ës, pasi rezultojnë 15.804 pensione të reja.
Ndërkaq, të ardhurat totale të Instituti të Sigurimeve Shoqërore, janë regjistruar në 105.5 miliardë lekë ndërsa shpenzimet rezultojnë në 131.2 miliardë lekë, me një defiçit prej 25.7 miliardë lekësh apo afro 207 milionë euro./Scan