Nga Prof.As Taulanda Jupi
“Njëshi” i zerove!
👉”Ata që nuk mund të kujtojnë të kaluarën, janë të dënuar ta përsërisin atë.”
Filozofi dhe shkrimtari spanjoll, George Santayana jo vetëm paralajmëron, por ai na nxit të shquajmë drejt dhe qartë faktet e dhimbshme të historisë duke u përpjekur të parandalojmë përsëritjen e tyre. Historia është ciklike, por pavarësisht kësaj, nuk mund të parashikojmë sesi do të shfaqet apo projektohet përsëritja e një fakti apo e një dukurie sociale, sepse përsëritja e një fenomeni historik, nuk është asnjëherë identike. Megjithatë, sado dhe sido të ketë ndryshuar realiteti social gjatë dhjetëvjeçarëve të fundit veçanërisht në formë, duhet pranuar se frika,dhuna, terrorri dhe propaganda mbeten ende mjete të preferuara dhe fatkeqësisht efikase në duar të liderëve autokratë, të cilët fshihen më së miri pas një imazhi fals të demokracisë.
Realiteti shqiptar dhe Edi Rama janë një model tipik i kësaj strategjie. Propaganda, mekanizmi i cili përdoret në mënyrë të shfrenuar duke targetuar jo vetëm shqiptarët por veçanërisht faktorin ndërkombëtar, sot ka krijuar imazhin se Shqipëria është de facto dhe de jure një sistem demokratik i cili ka kompletuar organigramën e tij instucionale, si parakusht formal të ekzitencës së tij. Por kjo overture nuk pasohet nga asnjë akt vijues në të cilin të shtjellohet sistemi funksional i këtyre strukturave, nuk ka asnjë akt vijues që të kapërcejë formën për të analizuar brendinë.
Realiteti socio –politik shqiptar ka të gjithë fasadën, dukjen dhe formën e një sistemi demokratik. Por a funksionojnë këto institucione , struktura dhe organe në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe parimet bazë mbi të cilat ngrihet dhe funksionon një sistem demokratik?
A ka sot në Shqipëri ndarje dhe balancë të pushteteve ?
A kemi sot një Shqipëri ku sundon ligji dhe e drejta?
A kemi sot në Shqipëri një sistem të pavarur drejtësie?
A janë sot në Shqipëri të gjithë të barabartë para ligjit?
A kemi ne sot një përfaqësim të drejtë në qeverisje, qoftë kjo qëndrore apo lokale?
A kemi sot një parlament funksional?
A kemi sot në Shqipëri liri të medias, shtypit , liri të mendimit dhe fjalës ?
Pse demokracia po merr trajtat e një diktature në Shqipëri?
Sepse ne, shqiptarët po e lejojmë! Fajtori është NJË, përgjegjës jemi të gjithë.
Rruga drejt demokracisë është e vështirë sepse demokracia kërkon përpjekje dhe sakrifica që jo gjithmonë jemi të gatshëm dhe kemi vullnetin t’i bëjmë. Nëse sot ndodhemi në këtë situatë kritike, edhe ne si qytetarë jemi përgjegjës për heshtjen, indiferencën, përuljen, mosreagimin, apatinë, përgjegjës sepse zgjedhim gjithmonë rrugën më të lehtë dhe jo më të drejtë, përgjegjës pse antivlerat i kemi kthyer në vlera, jemi përgjegës pse durojmë nënshtrimin, frustrimin, zhgënjimin, vjedhjen, mashtrimin, përgjegjës pse zgjedhim largimin në vend të përballjes. Ne jemi përgjegjës se kemi humbur besimin, por mbi të gjitha jemi përgjegjës ndaj të vërtetës.
E vërteta është se në Shqipëri nuk ka ndarje dhe balancë të pushteteve, përkundrazi ato ndodhen sot në duar të NJË njeriu të vetëm.
E vërteta është se parlamenti ilegjitim sot miraton ligje antikushtetues që kanë vetëm një qëllim forcimin e pushtetit të një njeriu të vetëm.
E vërteta është se në Shqipëri “barazia para ligjit” është një koncept juridik larg realitetit, sistemi i drejtësisë nuk është i pavarur madje institucione të rëndësishme të tij, si Gjykata e Lartë dhe Gjykata Kushtetuese janë jashtë funksioni, duke krijuar hapësira dhe mekanizma që shkojnë në favor të pushtetit të NJË njeriu të vetëm.
E vërteta është se sot kemi një krizë përfaqësimi në të gjitha nivelet dhe institucionet e pushtetit vendor dhe lokal, pasi individë me rekorde kriminale janë emëruar apo “zgjedhur” nga NJE njeri i vetëm dhe për t’i shërbyer NJE padroni të vetëm.
E vërteta është se në Shqipëri, liria e shtypit dhe medias, shprehja e fjalës dhe mendimit të lirë ka bërë hapa të dukshëm pas.
Këto janë të vërtetat e mëdha me të cilat lidhen në mënyrë direkte ato të vërtetat tona të përditshme, si : puna që nuk e gjejmë dot, pagat e ulëta, taksat që na rriten, na shtohen e na vidhen çdo muaj, ilaçet që prindërit tanë nuk mund t’i blejnë se ai i shkreti pension nuk mjafton, shëndetësia ku mungojnë shërbimet e duhura, mjekët dhe infermierët, çmimet e ushqimeve që rriten çdo ditë, edukimi dhe shkollimi i cili nuk është ai që duam për fëmijët tanë, pasiguria për jetën, mjerimi dhe skamja që na rrethon, e sotmja që na tremb dhe e ardhmja që na tmerron. Këto janë të vërtetat tona që na gjunjëzojnë çdo ditë e më tepër dhe na bëjnë të harrojmë detyrat tona si qytetarë, ndaj PO, ne jemi përgjegjës , por fajtori është vetëm NJE, ai është Edi Rama
Gjatë qeverisjes së tij, Edi Rama e ktheu politikën nga një përballje platformash, idesh apo vizionesh për zhvillim të qëndrueshëm ekomik dhe social, në një retorike false, përçarëse , frustruese, bulliste, kërcënuese, ku gjithmonë dikush është armiku dhe fajtori i radhës, ku ai var mëkatet e dështimit tij.
Por fajtori i vërtetë është ai, me UNIN e tij të vetkënaqun deri në delir për gjunjëzimin, nëpërkëmbjen, zhvatjen, talljen, përbuzjen, mashtrimin që na hedh çdo ditë si ushqim duke na zhbërë si individë dhe duke na shndërruar në turmë që duhet vetëm të bindet dhe të mos reagojë.
Ai është NJË njeri i vetëm, me unin tij të pangopur për pushtet që tallavitet në skenografira hamletiane një herë si zoti shpëtimtar i njerëzve, një herë si tokësori që qan e vuan bashkë me ta, njëherë me pelerinë e një hëre më çitjane, një herë si këngëtar e një herë si aktor.
Përtej asaj që duket, ai gjendet sot i vetshpallur NJESH mes zerove që e rrethojnë. Zero si numri i vendeve të reja punës, zero si shifra e investimeve të huaja, zero si politikat dhe rezultatet në zhvillimin ekonomik, zero si reformat e dështuara në drejtësi, në arsim dhe në shëndetësi , zero si rezultatet në integrim dhe negociata , zero si standartet në zgjedhje.
Pas këtyre shtatë viteve të vështirë dhe të lodhshëm të qeverisjes së Edi Ramës, duhet të bërtasim një vetetë të madhe se , problemi nuk është vetëm njëshi , por sidomos realiteti i ZEROVE që prodhon ai.
Sfidën pra e kemi me veten dhe atë çfarë duam të jemi. Nëse duam të bashkohemi turmës së zerove pas unit të Edi Ramës jemi “në rrugë të mbarë” të shumëzimit me zero, jemi në “rrugë të mbarë” drejt dështimit total si qytetarë të një shoqërie që ka vetëm remineshencën e demokracisë dhe zhvillimit.