BallinaOP EDNuk duhet harruar! Përjetime të përcipta nga diktatura

Nuk duhet harruar! Përjetime të përcipta nga diktatura

spot_img
spot_img

Nga Albert Avduli

Nuk duhet harruar ! Përjetime të përcipta nga diktatura
Qyteti i Fierit ka një bulevard të gjatë e të pandjenjë.
Mbas “Bulevardit Kombëtar” të Tiranës, ai është më i gjati ndoshta, sepse nis aty ku qyteti drejtohet për në Lushnje dhe mbaron te pika nga synohet Vlora. Po shkruaj saktë si e mendoja dhe ende jam në të njëjtin pëkufizim për këtë segment rrugor, nis në She(l)q dhe përfundon në Drizë. Dhe sjell ndërmend se duhet të kaloje dhe para pallateve sharrë në ec e jaken e mbrëmjeve. Sa hapa kam hedhur mbi të, sa brenga kam lënë pllakave të tij, sharje të rënda mund të kem lëshuar me fjalor erotik djaloshar.
Mbarimi i shkollës së mesme…
Universiteti u bë makthi im dhe shpresa ime njëkohësisht.
Unë duhet të shkoja atje jo vetëm për dëshirën e studimeve, por edhe si shenjë se inkuizitorët marksistë do mundeshin një ditë. Nëse më thyenin atë vullnet, atëherë përfundimisht do të isha i shtypur nën thundrën e tyre. Nuk do t’i lejoja t’më shndërronin në zvarranik apo në krimb toke.
Eksperimentet e tyre për ta rindërtuar trurin tim si një top argjile të njeriut të ri, duhet të dështonin. Ajo nuk ishte metamorfoza ime, nuk mund të ishte kurrë. Vite më vonë, kur lexova “Metamorfoza” nga Franc Kafka, u binda përfundimisht se unë isha lëndë mbi të cilën nuk mund të gdhendnin dot as gjeni si Kafka e jo më injorantë defterësh të atdheut ballkanik.
Kafkën po, mund t’ma thyenin kafkën, por jo mendimin, shpirtin kurrë.
Të pagdhendur më kishin konsideruar dhe ata e pikërisht ky është triumfi im i parë mbi fuqinë e skëterrës. Kurrë nuk m’u afruan me karrema lëpirës e premtues.
I kisha mundur de facto që kur s’më afroheshin. Ata tmerroheshin t’më tundonin. Faleminderit Zot, që xhelatëve ju dhe atë optikë për t’më gjykuar në atë periudhë. Çlirimin tim ta blatojë Ty o Perëndi që m’i mbajte larg, larg. Se mund të betohem tani se nuk do të epesha, por kur mendoj se ëndërrat e rinisë së hershme mund të të dërgojnë edhe në portat e ferrit e atëhere si do të gëzoja kur të vinte liria e plotë…. A mund të ishte gëzim ai apo peng e rob në përjetësi ?
Vite ishin disa që unë bëja kërkesat standart për vazhdimin e studimeve e më thanë; Jo ! Në fakt të frikurit ishin ata. Aq të trembur ishin, sa kurrë s’mu përgjigjën drejtpërdrejtë, guximi i tyre shkonte deri te tastiera e makinës së shkrimit”Oliveti”, duke mos më vënë emrin te lista e aspirantëve për librezën studentore. Ka diçka të egër në qëndrimin tim në raport me syparjen e atyre listave ngjitur me brumë në xhamat e komitetit. Një herë kam shkuar në atë ballafaqim, vetëm herën e parë të kërkesës.
Herët e tjera, as e merrja mundimin të shkoja, në mënyrë telepatike më vinte refuzimi dhe duke mos pritur nuk zhgënjehesha. Isha i lirë t’i urreja, isha i lirë të mos i doja.
Mbas mohimit në gushtin e parë, në të dytin gusht refuzues gjithashtu , u thirra ushtar në fund të vjeshtës.
E vetmja thirrje e personalizuar me një shkrim kopjativ e njolla mavi mbi letrën e pazarf.
Më veshën me një uniformë kineze, dhuratë nga motra e dikurshme e atdheut. Unë i përkisja një populli që s’kishte hallë, dajë, axhë, as teze nuk kishim sikurse me popujt ndodh kjo vetmi. Ne e krijuam atë teze aziatike e mbas një dekade e mohuam përsëri.
Po ç’rëndësi ka, në ikjen e saj ajo e pati lënë kostumin për mua. Dy vite nën uniformë dhe në mbrojtje të kufijve të shenjtë të atdheut. I mbroja ata kufijë nga arratia ime më së pari sesa nga depërtimi i askujt prej jashtë. Kërkesat i nisja me postë ushtarake drejt ëndrrës së universitetit civil. Në vend të telegramit, heshtja vinte bubulluese në veshët e mi. Kaq…
Në mënyrë groteske, lirimi nga ushtria u bë me të njëjtën uniformë dhe mënyrë kineze të ngazëllimit. Lirimi drejt palirisë ishte cinizmi më shpues që mund të përjetonte një djalosh. Po thirrjet delirante “Iku daja, iku daja”, kur motrën e kisha ende fëmijë.
Në kërkim të lirisë, në ecjen halucinante drejt saj u gjenda në brendësi të tokës. Galerive të minierës së Memaliaj një vit plot. 12 muaj kam rendur atyre labirintheve njëjtë si Dedali i mitologjisë projektonte tunelet e Kretës. Vrapoja e djersitja aty ku takoje vdekjen në çdo front, llavë, vrimave poshtë trarëve e shkëmbinjve. Në fakt aty kishte energji organike grumbulluar e sintetizuar në ato kokrra karboni. Oh, aty, në nëntokë, kishte më shumë jetë se në mencën e supës apo në vatrën e kulturës ku na bënin vaksinat e harrimit me ato ligjërata bajate si sulme të mbinatyrshme mbi neuronet e trurit.
Ishte viti 1989, balestrat e muzgut ishin thyer në Berlin. Rënien e atij muri të betontë e të çeliktë e ndjeva në thellësi të tokës qymyrgurore të Tepelenës. Në çastin kur ai mur u godit, unë u drodha gëzimit 1000 metër poshtë tokës, 2000 kilometra larg Berlinit.
Dhe u bë dritë…
Kokrra e qymyrit u zbardh e ndriti si smerald, fytyrat e verdha të minatorëve e larguan meitin 50 vjeçar mbi fytyrën e tyre dhe morën nurin njerëzor.
Unë (mijëra si unë), në atë rrugë të mundimshme dhe në atë rendje, shoqëruese nuk kisha hijen time me trajtë të deformuar, por shpresën pata si simbiozë ndriçuese.
Pak muaj më vonë, në Tiranë u thyen muret e ambasadave, u rrënuan dhe kufijtë e ëndërrave.
Në atë lukuni gjitarësh të zellshëm që bënin gjahtarin për viktimizimin e njerëzve kam hasur dhe humanë të cilët duke rriskuar karrierën e tyre guxonin të flisnin një fjalë të mirë.
Disa prej të cilëve dua t’i kujtoj me dashamirësi si Th Miço, D Deda, Y Behaj, N Shehaj, N Zenelaj, A Allkaj, L Velaj -Hodaj.
Për të tjerët…
Ju kam falur, por nuk ju kam harruar as fytyrat e vrarëlije, as emrat, as padurimin për të dëgjuar shëmbjen e galerisë ku punoja.
Si falës, sot, nuk kam mallkime për ju, por një urim shumë njerëzor dua t’ju them, gjallë qofshi a vdekur : Pjella juaj mos pastë ligësinë tuaj !

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular