Katër ditë më parë, Edi Rama në cilësinë e Ministrit të Jashtëm prezantoi Zef Mazin si kryesues të grupit negociator me Brukselin për vijimin e negociatave.
Ish-ministrja e Jashtme, Arta Dade, e ftuar në Rtv Ora e shoh pozitive faktin që Rama u kujtua për këtë personalitet të fuqishëm të diplomacisë.
Sipas saj, Ramës i ra kështjella që kishte krijuar rreth Cakaj, që në gjykimin e saj nuk kishte përvojën për ta drejtuar këtë proces.
Por edhe Mazi për Daden, pavarësisht kapaciteteve të tij, nuk ka çfarë të negociojë në Bruksel nëse nuk ka produkt nga brenda.
Arta Dade: Është pozitive që u kujtuan për një personalitet të fuqishëm të diplomacisë. Por në diplomaci është shprehja:”Më jep një politikë të brendshme të mirë, të jap një politikë të jashtme të shkëlqyer”. Nëse grupi negociator nuk ka çfarë të prezantojë edhe suksesi do të jetë i vështirë për tu arritur.Qëmtimi i negociatorëve nuk mund të nisë nga e para, duhet të jenë negociatorë që e kanë ndjekur procesin e integrimit. Me emërimin e Mazit, Ramës i ra kështjella që krijoi rreth Ministrit në detyrë Cakaj, që realisht ishte zëvendësministër i Punëve të Jashtme. Këtu mund ti kthehem shqetësimeve të mia që u vu në krye të ministrisë dhe proceseve të integrimit një njeri që nuk e ka ndjekur këtë proces dhe nuk mund ta bënte.Prandaj tani është dubluar me ambasadorin Mazi, më mirë vonë se kurrë që Rama është kujtuar për këto kapacitete që Shqipërisë nuk i kanë munguar as më përpara dhe as tani nuk i mungojnë.
Në gjykimin e Dades, nga qeveria Rama ka më shumë tentativë për të bërë show pa përmbajtje sesa punë dhe seriozitet për përmbushjen e detyrimeve.
Arta Dade: Fakti që mohohen 15 kushtet tregon se integrimi nuk është marrë me seriozitetin e duhur. Aq më pak kam vërë re se ka njëfarë mosdije lidhur me mënyrën sesi vende të tjera që janë më të avancuara në proceset integruese, kam parasysh Kroacinë, i kanë përçuar etapat e ndryshme në procesin e integrimit dhe në linjën e atyre që i kanë përçuar negociatat, kanë qenë zëvendëskryeministra, nuk janë ndërruar nga njëra mazhorancë në tjetrën.