E reja nga Berati, Adjola Lakra, 26 vjeç është arrestuar sot nga policia si bashkëpunëtore në ekzekutimin e 40-vjeçarit Hekuran Billa, te Komuna e Parisit, ngjarje e ndodhur mbrëmjen e 11 qershorit.
Ajo është nga qyteti i Beratit.
Adjola Lakra rezulton të jetë banore e lagjes ‘28 Nëntori’ dhe banesa e familjes së saj ndodhet në rrugën ‘Dhimitër Kolea’ në Rajonin nr.2 edhe pse prej vitesh në atë shtëpi nuk banon më askush nga familja Lakra.
26-vjeçarja Adjola Lakra ka qëndruar në qytetin e Beratit deri në moshën 18-vjeçare por, pasi mbaroi Shkollën e Mesme të Përgjithshme ‘Babë Dudë Karbunara’ ajo u largua për të ndjekur studimet e larta dhe nuk u kthye më në Berat.
Dy vite më vonë edhe prindërit dhe vëllai i saj u shpërngulën të gjithë për të jetuar familjarisht në Tiranë edhe pse ende figurojnë banor të Rajonit nr.2 në Berat.
Ndërkohë që të gjithë familjarët e saj kanë bllokuar profilet e tyre në Facebok, e vetmja foto e saj është ajo e 6-viteve më parë në profilin e Facebook të vëllait, me të cilin mësohet se ajo ishte e lidhur shumë.
Adjola Lakra dyshohet se ka bashkëpunuar me Sebastjan Malin dhe Viktor Markun për ekzekutimin e Hekuran Billës. 26-vjeçarja dyshohet se ka marrë në telefon Hekuran Billën para krimit dhe i ka lënë takim në zonën e Komunës së Parisit, aty ku edhe po e prisnin vrasësit dhe pas krimit mësohet se ajo ka qenë nën vëzhgimin e policisë për 3 ditë me radhë.