Rubrika “Ka një mesazh për ty”, në Tv Klan solli ditën e sotme historinë e vështirë të një gruaje 60-vjeçare. Ishin dy fëmijët e saj, Migena dhe Fatosi që rrëfyen në studio gjithë peripecitë dhe vuajtjet që nëna e tyre ka kaluar.
Kur nëna e tyre ishte 6 vjeç, babai i saj arratiset në atë kohë jashtë Shqipërisë. Pak kohë më vonë, edhe nëna e saj ndërroi jeta dhe 3 vajzat mbetën jetime.
Migena tregon se vështirësitë për nënën e saj kanë qenë të mëdha. Por në vitin 1993, nëna e tyre bie në gjurmët e babait të saj. Ai ishte në Austri dhe një i afërm i tij bën të mundur që ajo të shkojë të takojë babain e saj.
Ky takim i shumëpritur dhe pas shumë vitesh ishte zhgënjyes sepse ai u soll ftohtë me vajzën e tij. Ai kishte krijuar një familje të re, me dy vajza dhe një djalë. Vajzave iu kishte vendosur emrin e vajzave që kishte në Shqipëri.
Migena dhe Fatosi shprehen se ai ishte takimi i parë dhe i fundit i nënës së tyre me babain e saj.
Migena: Në vitin 1993, vinin emigranët nga jashtë dhe kërkonin familjet e tyre për të ditur se ku janë. Domethënë jo se ishte gjyshi ai që na kërkonte, por ishte dikush tjetër, ishte një mik i familjes që interesohej për familjen e gjyshit tim Mevlan. Dua të interesohem të di tha ku i kanë varret, se ai nuk e mendonte se familja do të ishte gjallë. Dua se e kam amanet nga gjyshi që të shkoj dhe t’iu vë një tufë me lule. Kushëriri jonë i thotë që Mevlani i ka të treja vajzat gjallë, bashkëshortja ka ndërruar jetë, njëra nga vajzat punon këtu, pranë një institucioni shtetëror, mund ta thërras dhe të flisni. Jo tha, s’është e vërtetë. U mundësua takimi dhe ai bëri të pamundurën që mami të shkonte në Austri dhe të takonte babin. Kjo ishte një gjetje e dytë si të thuash.
Ardit Gjebrea: Dhe ai ishte vendosur në Austri, jetonte atje?
Migena: Ai nga Jugosllavia kishte qenë në Serbi, martuar me një serbo-kroate, ndarë dhe kishte shkuar në Austri ishte martuar me po një serbo-kroate. Kishte krijuar një familje të re, me dy vajza dhe një djalë dhe për të mbajtur emrin e familjes si të thuash, emrin e vajzave ia vuri dhe vajzave atje. Emrin e mamit tim e ka dhe vajza që ndodhet dhe sot në Austri.
Ardit Gjebrea: Pra janë dy motra me të njëjtin emër?
Migena: Po!
Fatosi: Janë të tre emra shqiptarë!
Migena: U arrit mundësia që mami të shkonte në Austri, por ishte një zhgënjim sepse ai kishte krijuar një familje atje dhe nuk e priste që fëmijët të ishin akoma gjallë dhe nuk e priste që mami me atë guximin dhe insistimin e saj do shkonte ajo që ta gjente babain.
Ardit Gjebrea: Si ishte takimi?
Migena: Fatosi ka qenë atje!
Fatosi: Takimi ishte shumë emocionues sepse për herë të parë nëna ime takohej me babin, pas shumë viteve. Gjyshi ishte shumë i ftohtë si në ndjenja, si në mënyrën që komunikonte, thoshte që kam bërë diçka, por deri diku isha i justifikuar. Nuk kishte një ndërgjegje që të thoshte: Ok unë ju kam lënë juve dhe tani do bëj çfarë të jetë e mundur që të mund t’iu ndihmoj.
Ardit Gjebrea: Ashtë ë? Ftohtë ?
Fatosi: Ftohtë! Mamaja i thoshte ke bërë çfarë ke bërë, po të paktën kam djalin, na ndihmo ne që të mund të rrimë, meqë ju jeni në Vjenë, që të mbash djalin. Ai nuk u afrua fare. Në datë 3 Dhjetor ne kemi qenë në Vjenë dhe në 28 Dhjetor në atë të ftohtë jemi kthyer në Shqipëri.
Migena: Me një zhgënjim të madh shumë!
Fatosi: Ai ishte takimi ballë për ballë dhe nuk ka patur më.
Migena: Ishte i fundit!
Ardit Gjebrea: Me vajzën!
Fatosi: Vetëm komunikim me telefon!
Ardit Gjebrea: Po më bën përshtypje kjo sjellja me vajzën.
Fatosi: Ne i thamë hajde tako vajzat e tjera. Ai kishte atë frikën sikur ishte akoma ai regjimi dhe do t’i ndodhte diçka këtu dhe e hoqi totalisht si mundësi./tvklan.al