BallinaEkonomiAmnistia fiskale, një dritare për pastrimin e parave të krimit dhe korrupsionit

Amnistia fiskale, një dritare për pastrimin e parave të krimit dhe korrupsionit

spot_img
spot_img

Projektligji për amnistinë fiskale që parashikon legalizim të aseteve dhe parave të fshehura në vite, shikohet edhe si i rrezikshëm nga ekspertë të ekonomisë por edhe njohës të ligjit.

Selami Xhepa, ekspert ekonomie, faktin më shqetësues të draftit i sheh mundësitë e hapura për pastrim të parave të krimit dhe korruspionit.

“Është plotësisht e mundshme që paratë që kanë ardhur nga bota e errët e krimit apo qoftë e korrupsionit të mund të pastrohen sërish”, tha Selami Xhepa për “ABC NEWS”.

“Projektligji e ka përcaktuar që janë paratë, janë pasuritë e paluajtshme, sende të luajtshme të regjistruara në regjistra publikë, gurë të çmuar, koleksion pikturash dhe kripto-monedha, që është një mënyrë që shërbejnë për pastrimin e parave”, u shpreh juristi Ledio Braho.

Ai tregon më në detaje grupet që drafti nuk i përjashton, për të theksuar idenë e tij se do të shërbejë për legalizim të parasë jo të ligjshme.

“Nuk përfshihen persona që nuk janë dhe nuk kanë qenë ndonjë herë në hetim por që janë pjesë e grupeve të strukturuara kriminale. Kjo sjellë si pasojë që shumë para, sidomos ato që vijnë nga jashtë të vinë dhe të pastrohen me 5%. Me këtë taksë 5 % qeveria i ndihmon këto grupet të pastrojnë paratë, të futen në tregun shqiptarë dhe të konkurrojnë me biznesin e ndershëm”, tha Braho.

Kjo vlen edhe për paratë, që ligji thotë, do të riatdhesohen.

“Nëse deri para disa vitesh për rastin e “Toyota Yaris” me mbi 2 milionë euro nisi një procedim penal, pas hyrjes në fuqi të këtij projektligji kushdo mund të sjellë para nga jashtë dhe të kalojë kufirin shqiptar vetëm nëpërmjet plotësimit të një formulari”, theksoi avokati Braho për “ABC NEWS”.

Për Selami Xhepën Shqipëria nuk është në kushtet të tilla sigurie, për të aplikuar një draft me përmbajtje të tillë.

“Është një mori institucionesh të përfshira, që kanë kapacitete të dobëta dhe praktikisht nuk e përmbushin dot plotësisht këtë lloj funksioni që ua ka përcaktuar ligji. Kjo lë hapësirë për të thënë që, një dritare që krijon një ligj tjetër siç është ligji i amnistisë të mund të shfrytëzohet për shkak të dobësive institucionale, administrative për të legalizuar këtë lloj paraje”, nënvizoi eksperti i ekonomisë.

Në një prej neneve të draft-ligjit parashikohet që politikanët, nisur nga Presidenti, kryeministri, deputetët dhe drejtuesit e pushtetit vendor janë të përjashtuar nga amnistia. Por ekspertët shprehen dyshues.

“A ka Shqipëria mekanizma filtrimi që ta parandalojë një gjë të tillë? Unë mendoj që nuk i ka. Faktet tregojnë që Shqipëria nuk i ka këto lloj kapacitetesh. Ndaj mundësia për të parandaluar ngelet shumë e vogël”, thekson Selami Xhepa.

“E vërteta është që mund të gjendet një person, i cili mund të shkojë të deklarojë dhe t’i deklarojë këto para në emër të një personi tjetër. Pra, edhe pse përjashtohen (politikanët) de jure, de fakto nuk dihet çdo të ndodh me paratë e korrupsionit”, shton Braho.

Draft/ligji aktualisht është në proces konsultimi dhe sipas argumenteve të qeverisë deklarimi i parave të padeklaruara do të ndikonte në përmirësimin e financave të vendit, pas goditjes së ekonomisë nga pandemia e COVID-it. /abcnews.al/

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular